Një aksident i rëndë u mori jetën 3 personave në afërsi të Prizrenit. Aksidenti është shkaktuar si pasojë e garave me makina. Njëra nga makinat ka goditur disa persona të cilët po qëndronin pranë autostradës dhe ishin duke e ndjekur garën.
Policia përmes njoftimit për media ka bërë të ditur se shoferi që përplasi tre të rinjtë është arrestuar. Po ashtu u raportua se shoferi i automjetit ishte Arlind Syla, i afërm i njërit prej viktimave.
Ndërsa ditën e djeshme (17 Dhjetor), policia njoftoi edhe për arrestimin e një tjetër personi, Irfan Hotin nga fshati Dejnë raporton indeksonline.
Së fundmi gazeta sinjali ka publikuar edhe foton e dy të arrestuarve për aksidentin tragjik në Prizren.
Sipas raportimit të gazetës Sinjali, vetëm këtë vit, rreth 10 dënime janë shqiptuar nga Policia e Trafikut Rajonal në Gjakovë ndaj Arlind Sylës, ndërsa Irfan Hoti është gjobitur rreth 15 herë për shkelje të rregullave në trafik.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Irfan Hotit para disa muajsh i ishte konfiskuar patentë shoferi për tre muaj.
Viktimat e këtij aksidenti janë: Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, të tre të moshës rreth 20 vjeçare.