Nis faza e tretë e vlerësimit të kandidatëve që kanë aplikuar për procedurën e konkurrimit për hetues financiar pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Pjesë e garës është edhe Ditmir Hoda, djali i Zeqir Hodës anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili është edhe pjesë e 11-shes që voton për katër kandidatët në garë për pozicionin drejtues në SPAK.
Mbledhjen e kaluar në KLP, Hoda u tërhoq nga votimi për miratimin e listës së kandidatëve për drejtues të SPAK, për shkak të një shkrimi lidhur me kandidimin e djalit të tij si hetues financiar, ku u pretendua se pjesë e komisionit ishte prokurori Klodian Braho, njëherësh kandidat për drejtues të SPAK. Për këtë arsye, Hoda u tërhoq nga votimi.
Pavarësisht aludimeve për prezencën e Klodian Brahos në komisionin e Përzgjedhjes së Hetuesve Financiar, në Sektorin e Hetimit Financiar, në Prokurorinë e Posaçme, burime bëjnë me dije se ky i fundit është tërhequr nga komisioni në datën 6 tetor, ditën që ka dorëzuar platformën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vendin vakant të drejtuesit të SPAK.
Vlerësimi i kandidatëve për hetues financiar do të bëhet nga prokurorët Sotir Kllapi, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi. Ky i fundit zëvendësoi Brahon pas dorëheqjes.
Në fazën e tretë të konkurrimit do të marrin pjesë 10 kandidatë, për 4 vende vakante, të cilët kanë grumbulluar mbi 40 pikë.
Intervista e strukturuar me gojë me kandidatët për hetues financiarë, në Sektorin e Hetimit Financiar do të zhvillohet këtë të enjte, në datën 23.10.2025, në godinën e SPAK, dhe garuesit do të njoftohen individualisht për orën e caktuar për zhvillimin e intervistës. Kandidatët njoftoi SPAK, që në dy fazat e para të konkurrimit nuk kanë grumbulluar minimum 40 (dyzet) pikë do të njoftohen individualisht për rezultatet e tyre.
Komente










