Zbardhet lista me 21 kandidatët që kanë hyrë në garë për drejtimin e drejtorive vendore në Policinë e Shtetit. Kandidatët kanë dorëzuar dokumentacionin për të konkurruar për postet e drejtorëve të policisë në qarqet Durrës, Fier, Kukës dhe Lezhë, aty u për momentin drejtuesit janë komanduar, për shkak të largimeve më herët dhe ndryshimeve të bëra papritur.
Durrësi mbeti me drejtues të komanduar pas largimit të Vilson Balës në janar dhe komandimit në vend të tij të Afrim Tafës. Edhe ky i fundit u shkarkua nga detyra në fillim të majit pas aksidentit tragjik ku vdiqën 2 fëmijë në ish-Kënetë. Fieri është me drejtues të komanduar pas lënies së vendit bosh nga vetë Skënder Hita që u emërua në krye të bluve. Kukësi është me komandim prej verës së shkuar, pas largimit të Gentian Berberit dhe emërimit në Shkodër, pas shkarkimit të Fatmir Lleshajt për skandalin e ndërimeve pa leje në Theth. Ndërkohë, drejtori e Policisë së Lezhës është me drejtues të komanduar, pas largimit të Islor Islamit, ku i u gjetën ambiente me lojëra fati.
Për shkak të ligjit të Policisë së Shtetit, drejtuesit emërohen me konkurs dhe për këtë drejtori i përgjithshëm i bluve, Skendër Hita, nuk mund të kryej emërime pa garë në drejtoritë ku ka të komanduar.
Në listën e emrave që synojnë të marrin drejtimin e qarqeve përfshihen drejtues dhe funksionarë aktualë të policisë, por edhe emra me eksperiencë në struktura të ndryshme të rendit dhe hetimit. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe fazave të tjera të konkurrimit, pritet të përzgjidhen emrat që do të drejtojnë katër qarqet, në një moment kur Policia e Shtetit po kalon në një tjetër proces ristrukturimi dhe vlerësimi të drejtuesve vendorë.
Mes 21 kandidatëve që shfaqin interes deri më tani, bien në sy disa emra të rëndësishëm brenda kupolës, mes të cilëve ish-drejtori i Policisë Dibër, Artion Duka, i larguar me dorëheqje pak muaj më parë. Ish-drejtori i Vlorës, Ermal Muça, ish-drejtori i Shkodrës, Ervin Hodaj, ish-drejtori i Korçës, Gjovalin Loka. Në garë është edhe drejtori i Kufirit dhe Migracionit të Tiranës, Edvin Ndreu, apo edhe drejtuesi aktual i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti.
Lajm në përditësim...
Komente











