Këshilli i Lartë i prokurorisë njoftoi se ka regjistruar kandidaturat e para për emërimin e prokurorëve në tri vendet vakante në SPAK.

Prokurori i Vlorës, Albert Kuliçaj, aktualisht në mbrojtje për shkak të sulmit me tritol në automjetin e tij, është kandidatura e parë.

Kandidati tjetër është prokurori Olsi Dado, i cilië shtë aktualisht pjesë e SPAK, pasi KLP e ka transferuar në këtë strukturë në mars të këtij viti.

Në organikën e prokurorisë Olsi Dado është prokuror në prokurorinë e Tiranës, por pak muaj më parë, KLP ndërpreu komandimin e tij në prokurorinë e përgjithshme duke e transferuar përkohësisht në SPAK.

Kandidati i tretë i regjistruar në KLP është Kreshnik Ajazi, aktualisht drejtues i prokurorisë së Elbasanit që hetoi së fundi dosjen e Laert Haxhiut. Gara për tri vendet vakante në prokurorinë e posaçme u hap nga KLP në fund të shtatorit.