Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka publikuar në profilin e tij në rrjete sociale, fatura te gjobave që tatimet dhe AKU i kanë vendosur një biznesi të vogël në lagjen nr.5 të Tiranës ku kanë konstatuar 15 kilogramë gjizë pa faturë tatimore.

Këtë denoncim Braçe e bëri dhe ditën e djeshme nga foltorja e Kuvendit pas raportimit të KLSH-së, duke folur për abuzimet e këtyre drejtorive, kryesisht ndaj bizneseve të vogla.

Afro 10 milionë lekë të vjetra është gjobitur biznesi, 825.000 lekë gjobë nga tatimet dhe 150.000 lekë gjobë nga AKU për 15.82 kilogramë gjizë që kushton 229 lekë kilogrami.

“MBAJE DOREN OR TRIM, MBAJE!

825.000 LEKE GJOBE TATIMET + 150.000 LEKE GJOBE AKU

PER 15.82 KILOGRAME GJIZE ME VLERE 229 LEKE!

Kuptoni? GJIZE!

E gjitha ne mes te nje lagjeje te varfer ne NJESINE 5!

Jo tek restoranti i luksit, por tamam tek kjo lagjia!

Natyrisht, eshte bere aq e njohur kjo historia e TVSH SE BUJQESISE DHE BLEGTORISE, AUTOFATURA SA EDHE DORDOMUZET FISKALE E KANE KUPTUAR SE KETU BEHET EDHE PLANI I “FORMALIZIMIT” EDHE HAPESIRA E KORRUPSIONIT!

Tani jemi ne piken qe POLICIMI I PRODHIMIT BUJQESOR te cilin e sheh si zgjidhje vec DHIMUA, kenaq vec MUCIN e cdo Muc tjeter qe firmos ne keto letra qe jane NAM, bejne NAM dhe na bejne te LEME NAM!!” shkruan Braçe në postimin e tij.

Ditën e djeshme Braçe tha se inspektorët dalin ashtë sistemit elektronik të inspektimit, fikin kamerat e GPS, duke shtuar se e kanë kthyer në metodë pune për tu sjellë keq me të dobëtin dhe të myllin gojën përpara të fortëve. Duke eivdentuar problematikat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, deputeti i PS thotë se qartazi ka një mungesë të kontrolleve në drejtoritë e tatimeve.