Gati drafti i sugjeruar nga FMN
taksohen pagat nën 30.000 lekë

Gati drafti i sugjeruar nga FMN<br />taksohen pagat nën 30.000 lekë
Qeverisë i është propozuar nga Fondi Monetar Ndërkobëtar të taksojë pagat nën 30 mijë lekë në muaj, të cilat përjashtohen nga ligji aktual. Vetë Ministria e Financave e ka pranuar ekzistencën e një propozimi të tillë nga ekspertë të veçantë të Fondit Monetar, por ka theksuar se bëhet fjalë për veç një prej propozimeve të shumta të përpiluara nga ky institucion lidhur me ndryshime të mundshme në paketën fiskale.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë, projekti është përgatitur nga një jurist i FMN për diskutim me ekspertët, por nuk është paraqitur zyrtarisht në Ministrinë e Financave. “Drafti nuk është paraqitur zyrtarisht në Ministrinë e Financave”, thuhet zyrtarisht prej këtij dikasteri.

Taksat
Drafti parashikon taksimin e të ardhurave të niveleve të ulëta, të cilat përjashtohen nga ligji aktual. Një prej ndryshimeve propozon vendosjen e taksimit prej jetë 5 për qind të të ardhurave nga 0 në 180 mijë lekë në vit. Për individët me nivel të ardhurave vjetore nga 180 mijë lekë deri në 1,560,000 lekë, drafti parashikon që taksa të vendoset në kuotën 13 për qind. Ndërkohë që mban të pandryshuar nivelin e taksimit për pagat, mbi 130 mijë lekë në muaj, do të taksohen me 23 për qind, ashtu siç është edhe tani.

Taksimi/ Tabela
Pagat 0 – 180,000 5%
Pagat mbi 180,000 - 1,560,000 13%
Pagat mbi 1,560,000 23%

Lidhur me draftin e ri që pritet të diskutojnë ekspertët, ka reaguar dhe ish-Kryeministri Sali Berisha i cili e ka quajtur dështim taksën e qeverisë.

“Pasi rrënoi dhjetëra mijëra vende pune, rriti me 3.8 herë mjerimin në vend, rriti me 38% papunësinë e shqiptareve, bllokoi për dy vite rrogat e tyre duke bere qe sot çdo rrogëtar të marrë 12% më pak se dy vjet me pare, pasi largoi qindra e mijëra biznese te huaja dhe shqiptare dhe 295 miliarde leke nga vendi, pasi rriti borxhin publik nga 62% ne 74%, anti modeli i tij apo modeli i taksës së Marksit dështoi plotësisht dhe u varros me kërkesën e FMN për rikthimin e takes se sheshte". - shkruan Berisha në rrjetin social në Facebook.
 
FMN
Ndërkohë që duket se negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk janë aspak të lehta për Qeverinë. Vetëm pak ditë më parë siti italian “Notizie Geopolitiche”, bëri me dije se Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të vendosë të ndërpresë negociatat e nisura që në 2013 me Qeverinë Shqiptare për një hua prej 330 milionë eurosh, duke qenë se të ardhurat fiskale në vend nuk garantojnë dot shlyerjen e saj.

“Notizie Geopolitiche”, i referohej në një artikull përfaqësuesit të FMN, Jens Reinke, sipas të cilit, pavarësisht rritjes së progresive të taksave, të ardhurat fiskale gjatë dy viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelet e duhura për të bindur institucionin për miratimin e huasë.

“Përkundrejt asaj që kishte parashikuar Qeveria e Tiranës, pavarësisht rritjes së fortë të taksave e akcizës së duhanit e karburanteve, fluksi i parave në arkën e shtetit nuk ka shënuar ndryshime të dukshme, veçanërisht për shkak të rritjes së evazionit fiskal e kontrabandës”, theksoi “Notizie Geopolitiche”. Në shkrim citohej edhe kryeministri Edi Rama sipas të cilit, nga shtatori, do të nisë një operacion të madh për shërimin e plagës së evazionit fiskal.
 


Mosrealizimi/ 3.8 miliardë lekë më pak se plani i fillimvitit
Taksa e të ardhurave personale, bilanc negativ në 2015
 

Tatimi mbi të ardhurat personale është një prej zërave me mosrealizim në treguesit financiarë për gjashtëmujorin e parë të viti, duke rezultuar 3.8 miliardë lekë më pak se plani i fillimvitit. Edhe pse për vitin 2015 ishte parashikuar një rritje me 22.4% e këtyre të ardhurave, ato nuk u realizuan  gjatë periudhës së parë të vitit. Këto pritshmëri vijnë nga rritja e taksave të parashikuar në paketën e re fiskale për vitin 2015, ku të ardhurat që vijnë nga interesat, dividentët, honoraret, qiraja etj, do të kenë një shkallë tatimi prej 15% dhe jo 10%  siç është aplikuar deri në fund të vitit 2014.

Nga ana tjetër, sipërmarrjet e mëdha, nxituan të transferonin fitimet vitin e kaluar, me normë 10%, duke lënë me  kështu  më të ulëta  të ardhurat e tatimeve për këtë vit. Qeveria miratoi një politikë të re taksash sa i takon të ardhurave personale, ku hyri në fuqi taksimi progresiv. Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: taksa mbi të ardhurat personale nga paga në sektor publik dhe privat; taksa mbi të ardhurat personale nga interesat bankare; taksa mbi të ardhurat personale nga dividendët apo nga burime të tjera.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer