TIRANE - Ministria e Inovacionit ka dorëzuar në Kuvend projektligjin “Për  njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili ka për objekt rregullimin e marrëdhënieve që krijohen në një proces të konsultimit publik, transparent, gjithëpërfshirës, të realizuar në kohë dhe efektiv ndërmjet organeve publike, qendrore e vendore, dhe palëve të interesuara në procesin e iniciimit, hartimit dhe miratimit të projektligjeve, akteve nënligjore normative, dokumenteve strategjike kombëtare e lokale si dhe të politikave me interes të gjerë publik.

Ky ligj përcakton rregullat procedurale minimale që duhen zbatuar për të garantuar transparencën, pjesëmarrjen demokratike në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organeve publike. Sipas këtij projektligji, organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit dhe konsultimit publik.

Fusha e zbatimit të këtij ligji përfshin marrëdhëniet që përcaktohen ndërmjet publikut, palëve të interesuara dhe organeve publike, qendrore e vendore, gjatë procesit të iniciimit, hartimit dhe miratimit të projektligjeve, akteve nënligjore normative, dokumenteve strategjike, kombëtare dhe lokale, si dhe të politikave me interes të gjerë publik.

Në faqen zyrtare të Kuvendit janë publikuar edhe tre projektligje të tjera, të cilët janë edhe ligjet e parë që do të shqyrtohen nga mazhoranca e re. Bëhet fjalë për projektligjin “Për sigurinë në tunelet rrugore”, projektligji “Për arbitrazhin” si dhe projektligji “për disa shtesa në ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, “për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)