TIRANE - Në intervistën e tij, gazetari Poli Hoxha bën një “portret” të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Përplasjet e tij me Berishën, gazeta “Shekulli”, risitë dhe ç’mund t’i sjellë Kokëdhima politikës shqiptare.

Zoti Hoxha, ju bëni pjesë, në atë plejadë gazetarësh që keni më shumë se 15 vjet aktivitet, në median profesioniste. Çfarë ndjesie patët kur mësuat, se një ndër botuesit më të njohur në vend, zoti Koço Kokëdhima u prezantua nga Partia Socialiste, si kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës?
Është e vërtetë që kam një karrierë të vrullshme në gazetari, prej më shumë se 15 vitesh. Koincidencë është, se fillimet e mia si gazetar profesionist lidhen me gazetën “Shekulli”, që në periudhën kur ajo u ideua dhe themelua me pasion dhe dashuri, nga zoti Kokëdhima. Lajmi për kandidimin e tij më befasoi, nga këndvështrimi që kam njohur unë zotin Kokdhima, si një person me integritet dhe autopavarsi, të cilën e kam ndeshur, rrallë te shumë njerëz publik në Shqipëri.

Ai mund të ishte futur në politikë kur të donte, por në dijeninë time, karakteri i tij individualist në kuptimin e mos rreshtimit, kriticizmi i përhershëm për nivelin dhe integritetin e klasës politike shqiptare e ka bërë, që të mos përzihet drejtpërdrejt në politikë. Në këtë kuptim, lajmi për kandidimin e tij, nën siglën e partisë më të madhe opozitare, më erdhi i papritur. Por nga ana tjetër këtë angazhim të drejtpërdrejtë të tij në politikë, e shoh të vonuar.

E them këtë, sepse pikërisht vetshmangja nga politika, e një plejade të madhe intelektualësh, protogonistë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare postkomuniste në të gjitha fushat, ka bërë që niveli klasës politike shqiptare dhe veçanërisht i ligjvënësve të jetë skandaloz, shpesh edhe poshtë nivelit mesatar të gjithë popullsisë të cilën pretendojnë se e përfaqësojnë. Prandaj jemi këtu ku jemi, pas 22 vitesh: në një demokraci hibride që lëngon nga një tranzicion, që duket si një tmerr pa fund. Do të doja që në parlamentin e ardhshëm të kishte, sa më shumë “Kokëdhima”.

Kandidimi i zotit Kokdhima ka hapur shumë debate, në rrethet politike dhe ato mediatike. Emri i tij, veçanërisht nga kryeministri aktual dhe kryetari i Partisë Demokratike përmendet çdo ditë, në këtë fushatë të ndezur elektorale. Duket sikur ai dhe mediet e tij vasale mezi e kanë pritur këtë kandidim, për të sulmuar opozitën dhe veçanërisht kreun e saj Edi Ramën. Cilat janë arsyet e kësaj fushate të paprecedent sulmesh?
Nëse zoti Kokdhima do të më pranonte një këshillë, për situatën e paprecedent të përgojimit të emrit të tij nga Berisha dhe mediet, që gëlojnë brenda gardhit të kullës së tij, ajo do të ishte: Falenderoje publikisht Berishën! E them këtë sepse, në një kuptim të caktuar zotin Kokdhima, në politikë e ka “futur” vetë Sali Berisha. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për këtë periudhë pas kandidimit të tij zyrtar, ku emri i tij nga kryeministri përmendet dhjetëra herë në ditë, kudo dhe me këdo, në parlament e në mbledhje qeverie, përpara fshatarëve me fytyra të drobitura të cilëve ju premton “mrekullinë” e radhës, e mes peshkatarëve...të mos flasim për mediet-biznese të tij.

Por unë kam 15 vjet që dëgjoj nga goja e Berishës, sa herë i jepet rasti, emrin e Kokdhimës. Madje i është “futur” edhe brenda në shtëpi dhe i ka numëruar objektet e koleksionit të tij privat. Nëse zoti Kokdhima do të kishte durim e të mblidhte akuzat monstruoze të Berishës ndaj tij, të bëra në vite, mund të rezultonte një kryevepër satanike me mijëra faqe. Një obsesion gati patologjik ndaj tij, si në opozitë ashtu edhe në rolin e të parit të vendit. Nëse zotit Kokëdhima do ti mbushej mendja, që së bashku me familjen e tij të kërkonte ndonjë ditë të bukur azil politik, jo vetëm në Evropë, por edhe në vende të botës së tretë, do ta kishte fituar atë në sekondë.

Aq shumë është sulmuar me shpifje e është kërcënuar publikisht nga kryeministri i një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian një ndër botuesit më të njohur të vendit dhe një biznesmen që paguan miliona euro taksa, saqë do alarmonte autoritetet e çdo shteti normal. Berisha e akuzon mes të tjerash zotin Kokdhima, për marrëdhënie klienteliste me kreun e opozitës Edi Ramën, veçanërisht për periudhën kur ai ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. Por a nuk ngriti Berisha një Komision Hetimor ndaj Ramës si kryetar Bashkie? Nuk la copë letër pa qëmtuar dhe si përfundim nuk kapi dot as edhe një shkelje, në procedimin e punëve publike në kryeqytet sa për ta çuar, qoftë edhe formalisht në prokurori.

I akuzon poshtë e përpjetë bizneset e zotit Kokdhima, si të dyshimta. Për 8 vjet ka pasur në dorë shkopin dhe arrën, ushtarët e tij më besnik deri në qorrësi, kanë drejtuar e drejtojnë institucionet e taksave e tatimeve, Agjecinë e Privatizimeve, zyrat e Krimin Ekonomik në polici e SHSHI-in. Si mendoni ju, se nuk kanë gërmuar në këto 8 vite me gjithë këtë urrejtje patologjike që Berisha shfaq publikisht ndaj zotit Kokdhima? Natyrisht që po. Atëhere përse gërthet poshtë e përpjetë? Bën politikë, siç di të bëjë vetëm ai, dhe kaq. Për mendimin tim zoti Kokdhima bën mirë që nuk i përgjigjet kësaj furrie halucinante.

Por nëse i hapen petët lakrorit-Berisha, përbrenda do të gjejmë klientelizmin e vërtetë të tij me pronarë të caktuar mediesh, të cilët nën qeverisjen e tij kanë vënë pasuri sheikësh, nëpërmjet parave të taksapaguesve me punë publike,, sheshe ndërtimi, truaje, privatizime, koncesione...pa folur për milionat e reklamave. Por nga ana tjetër ai diçka e ka arritur në këtë luftë. Bizneset ja stopoi, por ama nuk ja mbylli dot siç kishte premtuar. Mediet ja goditi në thembrën e tyre të “Akilit”, që janë financat, duke mos i dhënë as një qindarkë reklamë shtetërore gazetës më të madhe në vend, duke shkelur hapur ligjin. Por ama, gojën nuk ua mbylli dot. Kushdo mund të futet në motorin më të madh të monitorimit të medieve në botë www.alexa.com dhe mund të shohë, se gazeta shekulli online ka qindra mijëra lexues në ditë, nga çdo cep i botës.

Në këto 22 vjet pluralizëm, pavarësisht lulëzimit të paprecedent të medieve në Shqipëri, qeveritë dhe ligjvënësit kanë bërë pak ose aspak, për të ndihmuar mediet dhe vendosjen e rregullave të lojës, në këtë shtyllë të domosdoshme të demokracisë. Mendoni se Kokdhima si një njeri me përvojë dhe eksperiencë të suksesshme, do të jetë në parlamentin e ardhshëm, një kontribues dhe zë i fortë?
Klasa politike dhe qeveritarët në këto 22 vjet, vetëm kanë marrë nga mediet. E çfarë do të ishin ata pa medien? Asgjë, anonimë të parëndësishëm. Por kur vjen puna për lëngimin dhe krizat që kalon ajo, nuk lëvizin as gishtin, madje kur ju ngelet qejfi nga raportime korrekte dhe denoncuese, nisin sulme me të gjitha mënyrat për të dhënë mesazhin e kok-uljes dhe nënshtrimit.

Është një lajm i mirë për të gjithë komunitetin mediatik, qenia në parlamentin shqiptar, e një botuesi tashmë të kolauduar në këtë fushë si zoti Kokdhima, por edhe qenia aty e kolegut tona Alfred Peza, ish kryeredaktor i gazetës “Shekulli”, në kohët më të suksesshme të saj.

Jam i bindur se mungesa e një ligji të plotë për medien që të pasqyrojë zhvillimin e vrullshëm të saj, problemet me shpërndarjen në gjithë territorin e vendit, shitjen e gazetave që ende dergjen tezgave nëpër cepa rrugësh, me status si të bananeve me çmim të lirë, çështja e reklamave, punës në të zezë etj etj, do të jenë ndër çështjet e para për të cilat deputeti Kokdhima do të luftojë në parlamentin e ri.

Çfarë kontributesh i njihni ju atij, duke u nisur nga eksperienca juaj personale në mediet e tij dhe në gazetari në përgjithësi?
Nuk shtrohet çështja se çfarë kontributesh i njoh unë personalisht. Çështja shtrohet më gjerë. Nëse në këto 22 vite demokracia foshnjarake shqiptare ka arritur diçka të saktë, pavarësisht problemeve të rritjes, ajo është media e lirë dhe e pavarur. Dhe padyshim një nga protogonistët më kryesorë në këtë sipërmarrje titanike është zoti Kokdhima, veçanërisht me gazetën “Shekulli”. Sot kushdo mund të thotë çfarë të dojë, por ajo gazetë ka qenë së pari, tribunë e mendimit të lirë.

Në faqet e saj kanë gjetur vend për tu shprehur, duke u anançuar njëkohësisht, gati e gjithë klasa politike dhe intelektuale shqiptare, duke përfshirë këtu edhe vetë Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Kjo gazetë në mënyrë gati heroike, ka qenë gjithmonë në krah të lexuesit, opozitare ndaj korrupsionit dhe abuzimeve me pushtetin, në të njëjtën rezonancë si kur ka qenë Partia Socialistët në pushtet, ashtu edhe ajo Demokratike. Unë kam drejtuar shumë gazeta dhe e di nga brenda se çfarë sakrifice është për botuesit, për të mbajtur një gazetë të pavarur, të lirë. Duam apo jo, zoti Kokdhima tashmë e ka shkruar emrin e tij, në krye të faqes së parë të historisë së medies postkomuniste shqiptare.

A mendoni se zoti Kokdhima ka cilësitë e duhura, për të përfaqësuar Qarkun e Vlorës dhe veçanërisht zonën e Bregut dhe Sarandën, të njohura këto si vendet më të bukura në vend, me potenciale turistike, natyrore, historike dhe pasuri të pafundme të traditës?
Unë kam punuar me zotin Kokdhima, e njoh edhe nga afër në marrëdhënie jo pune. Përveç të tjerave gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje tek ai, është dashuria dhe lidhja e tij me vendlindjen, deri në fiksim do të thosha. Kush e njeh nga afër zotin Kokdhima, patjetër ja ka vënë re obsesionin e tij për qënësimin shqiptar. Jam i bindur, se një nga arsyet kryesore, në mos më kryesorja, e vendimit të tij për tu bërë pjesë e ligjvënësve të ardhshëm, është dashuria dhe brenga që ai ka, për zonën më të bukur dhe të pasur nga zoti, siç është Bregu dhe Saranda.

Jam i bindur që ai në parlamentin e ardhshëm, edhe përpara interesave të kujtdo brenda qeverisjes së ardhshme të forcës politike që përfaqëson, do të vërë nëpërmjet integritetit personal që e karakterizon, interesat e atyre banorëve të bekuar nga natyra dhe zoti, por të dënuar në këto 22 vjet me varfëri, nga klientët e klasës së korruptuar politike.
Pl.Sh

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)