Gega thellon akuzat
ndaj Tares: Meriton padi

Gega thellon akuzat<br />ndaj Tares: Meriton padi
Kërkoj ndjesë që të bëra të prisje pak në përgjigje të përgjigjes rrufe që bëre ndaj “fletërrufesë” time. Kam qenë në terren, me punë për të realizuar sa më shumë “shkatërrim” ndaj monumenteve.

Zoti Tare, je me të vërtetë për tu admiruar. Paske talent të paparë për t’i rrëshqitur argumenteve kur ato të thuhen në sy të të gjithë botës. Paske kurajo të shkëlqyer të qëndrosh i qetë e të bësh sikur nuk ekzistojnë akuza apo denoncimi publik që unë të drejtova në lidhje me shkatërrimin që i ke bërë mozaikut të bazilikës paleokristiane në Melan duke gërmuar si hajdut dhe duke zhdukur të gjitha objektet dhe thesaret që ka patur në varrezën mesjetare. Fakti që ti e neglizhove këtë temë në gjoja përgjigje që jep për “fletërrufenë” time bind çdo kënd se je i zhytur deri në grykë dhe për këtë ti meriton një hapje padi penale, subjekti i të cilës do jetë “Realizim gërmimesh në zonë arkeologjike pa leje, zhdukje të materialeve arkeologjike (më saktë vjedhje) dhe ajo që është më e rënda shkatërrim i një sipërfaqeje të konsiderueshme mozaiku paleokristian”.

Në raport me ligjin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare ti ke shkelur nenet 33( pika 1,2),nenet 41,43,44,45.
Në raport me Kodin Penal ti me veprimet dhe dëmet që ke shkaktuar ndaj Trashëgimisë Kulturore Shqiptare përfshihesh nga nenet 138 dhe 160 të cilat shkojnë deri në 8 vjet burgim.

Si ka mundësi që më fton ti të diskutojmë për temat që lidhen me politikëbërjen dhe atë se si na u dashka të veprohet për ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore të vendit tonë? Po kush na qenke ti more zotëri që merr pozat e të diturit e të atij që mund të gjykoj e të japi zgjidhje për çdo gjë që ka të bëjë me këto fusha? Je i jashtëzakonshëm!

Më kujtohet një episod tejet domethënës për atë se si dhe se kush je ti në raport me dijet dhe kulturën që i takon Trashëgimisë Kulturore. Kam qenë dëshmitar në një nga mbledhjet e përvitshme të Bordit drejtues të Parkut të Butrintit, me drejtues të institucioneve dhe pjesëtar të këtij bordi, ku para se të fillonte puna dhe diskutimet u shtrua pyetja në drejtim të kryesisë; “Kur do të vihet në zbatim dhe të respektohet pika 1 e rregullores së funksionimit të Parkut të Butrintit (rregullore kjo e sugjeruar nga UNESCO dhe aprovuar nga qeveria shqiptare).Kjo rregullore disiplinon dhe formaton mënyrën e funksionimit të Zyrës që administron këtë Park I cili sikundër të gjithë e dinë, është I futur në listën botërore të pasurive kulturore dhe natyrore nga UNESCO.

Cila ishte kjo pikë që asnjëherë nuk u respektua sa kohë u kapardise ti “studiuesi” Tare si drejtor? Pika 1 e rregullores detyronte që Zyra e Administrimit të Parkut të kishte në krye një drejtor me shkollë të lartë. Sa kohë ti ke qenë në krye të këtij parku nuk ke patur asnjëherë këtë nivel shkollimi. Ky fakt ka qenë përherë objekt diskutimi dhe habie në nivelet e specialistëve të institucioneve që kishin objekt pune vlerat kulturore të Parkut të Butrintit.

Në pamundësi të qëndrosh në faktet dhe argumentet që unë ti përplas në artikullin tim apo, siç e percepton ti “fletërrufenë”, ti përveç se shmangesh nga ballafaqimi me to, deformon pikësynimin kryesor që unë paraqes në të. Nuk kam patur në vëmendjen time kryesore të filloj diskutime në lidhje me debatin për temën e qiradhënieve apo koncesioneve në fushën e Trashëgimisë Kulturore pasi as në ide nuk më shkon që të diskutoj me ty të tilla tema. Do e kisha ulur shumë nivelin tim profesional. Këto diskutime bëhen dhe duhet të jenë objekti i shkëmbimit të mendimeve midis specialistëve të fushës dhe instancave shtetërore të kësaj linje. Në këtë kategori ti as ke bërë dhe as ke për të bërë pjesë ndonjëherë, pa çka se i ke mbushur mendjen vetes dhe ke marrë pozat e një “studiuesi”. Për mua e rëndësishme ishte t’i bëja të qartë publikut se sa karagjozllëqe thua ti, sa pisllëqe dhe mllef ti hedh në punën time duke fantazuar në gjoja jo autorësi projekti në rijetëzimin e Kalasë mesjetare Lezhë dhe paaftësi profesionale etj.

Pikësynimi yt në këtë rast është të vraposh me nxitim e të bësh spektakël në mënyrë snobiste si pjesë e debateve, duke bërë më të zellshmin dhe mbi të gjitha më të mençurin. Në çdo gjë që thua ti nuk është tjetër veç dërdëllitje me përpjekje për t’i shprehur “bukur”. Këto sjellje janë tipike të tipave karakteropat. S’ke ç’ti bësh je i përfshirë jo vetëm nga kompleksi i dhelprës por edhe nga ai i “studiuesit”.

Në pamundësi të ballafaqohesh me të vërtetat që t’i them në sy dhe publikisht, me përgjigjen tënde fillon e hap repertorin më të diskredituar dhe paçavure të akuzave ndaj dikujt që se ke për qejf, repertor ky, të cilit i ka dalë boja që pesë vitet e para të demokracisë. Përrallat me “komunistë” kriminelë, ”spiunë” të kolegëve etj, si këto janë përpjekje e dëshpëruar jotja dhe njëkohësisht treguesi më i mirë i nivelit mjeran intelektual që ke. Për shkak të dalldisë që të ka kapur dhe hutimit fillon e i bën bisedat çorape dhe pështyn lart e poshtë, majtas e djathtas çfarë të dali përpara. Më bëre mua favoritin e Ministrisë dhe të instituteve. Ja ngop ministrave duke i bërë ata si palë me mua në “shkatërrimin” e monumenteve. Në mënyrë tinzare përdor emrin e Z. Pango si ish ministër duke e vënë në një kompani me mua (.. restaurimet e Z.Gega & Pango..) me nëntekstin si abuzues e zhvatës. Ore, po sa pa skrupull je dhe sa pa dinjitet?
Mjerë Trashëgimia Kulturore Shqiptare për sa kohë ndaj saj kërkojnë dhe ngulin këmbë të bëjnë protagonizëm tipa të kallëpit tënd.

Ti në këtë mesele je plotësisht i krahasueshëm me ata që hiqen për mjek dhe bëjnë “shëronjësin” duke marrë në qafë shumë të gjorë të kandisur nga llafollogjia dhe sharlatanizmi që ju serviret. Mjerë ata njerëz që bien në kurthe të tilla. Dihet mirë se si përfundojnë. Mjerë gjithashtu Trashëgimia Kulturore kur në të futesh ti. A nuk duhet ta shprehim kështu dëshpërimin për atë vlerë kulturore të mrekullueshme që t’i shkatërrove në Melan? Po dëmet dhe abuzimet, të regjistruara në aktet e kontrollit të MTKRS në vitin 2005 dhe të paraqitura në Prokurori kundër teje kur drejtoje Parkun e Butrintit? Nuk besoj se e ke harruar që kam qenë autor dhe drejtues teknik i punimeve të Muzeut të Butrintit, atëherë kur ti si drejtor Parku bëje shkelje të rënda e abuzime me procedimin e këtyre punimeve, të cilat më pas u shndërruan në njërin nga materialet e dosjes që vajti në Prokurori? Kam bindjen se një nga arsyet, përveç kompleksit që të kam vënë në dukje disa herë është edhe fakti se nuk pranova të bëhesha pjesë e abuzimeve tua. Megjithatë edhe atëherë si ”komunist” nuk e bëra detyrën për të të spiunuar. Kjo qe detyrë e shërbimit të kontrollit të MTKRS të cilën ata e mbyllën me padi ndaj teje.

Për të bërë diversion dhe njëkohësisht trullosje të opinionit publik ti sjell në tavolinë biografinë e Z. Machiarella dhe këtë e servir si argument për të thënë se unë paskam shkatërruar e do vazhdoj të shkatërroj monumentet. Nuk kam ndërmend të përsëris historinë e bashkëpunimit me zotërinë në fjalë, Prof.G.Machiarella pasi e shpjegova radhën e kaluar. Unë isha ai që e ftova për të bashkëpunuar në realizimin e ndërhyrjeve restauruese për Kishën e Shën Kollit Mesopotam, që në 2003, por për fat të keq, sikundër e sqarova artikullin e kaluar, objektivat që ai donte të realizonte ishin të kundërta me kërkesat urgjente që buronin nga gjendja dhe qëndrueshmëria e monumentit. Me këtë dua të të them se respektin ndaj specialistëve të huaj, ngado qofshin përherë e kam patur por duke mbajtur si konstante të pandryshuar dobiprurjen për ruajtjen dhe riaftësimin e monumenteve si dhe respektin ndaj kapaciteteve intelektuale e profesionale tonat.
Për mënyrën se si përdor emra profesorësh e specialistësh të huaj, në ndihmë të sulmeve absurde bërë ndaj meje, si specialist jo I huaj por shqiptar, kuptohet qartë se je në qorollepsje. Shumëkush kupton mirë pse ti ke hyrë në këtë lloj situate .E para, për shkak të nivelit mediokër që ke, je I përfshirë nga një tjetër kompleks, ai i inferioritetit duke menduar se kualitetet janë vetëm tek të huajt. Për ty në këtë vend nuk ka patur dhe s’ka kapacitete profesionale të afta në fushën e restaurimit dhe trajtimit të Trashëgimisë Kulturore (përveç ndonjë të huaji, pse jo edhe “studiuesit” Tare). Në fakt je ti i paafti për të parë realitetin. E dyta, në mllefet primitive që ke ndaj meje dhe kujtdo që punon në këtë fushë duke mos qenë në gjendje të gjykosh për punët e bëra, sjell si argumente gjithë ca supozohet dhe hamendësohet duke I shndërruar në të vërteta. Mbledh tërë llafet që dëgjon kafeneve ku ri kapardisur si mondan (snob province) dhe i përpunon sipas takatit intelektual që ke duke i servirur në funksion të interesit tënd në media, me cilësinë e brumit të thartuar. Ti kërkon të bësh sofistin por e bën aq shëmtuar sa kush lexon me vëmendje të merr për karagjoz.

Më duket se po e teproj duke u marrë me ty kaq gjatë. Në fakt po ta marrësh hollë-hollë nuk e kam merakun me ty por me fenomenin që ti përfaqëson, sharlatanizmin në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Fenomen ky që është shndërruar në një rrezik serioz për fushën e restaurimit dhe trajtimit të monumenteve duke krijuar situatë absurde në opinionin publik me çorientime dhe dezinformime për mënyrën se si analizohen problemet, idetë dhe vizionin për përmirësime apo edhe zgjidhjen e gjërave etj. Në këtë atmosferë me debate e diskutime futen këllic tipa si puna jote të cilët, jo vetëm që kanë defiçenca në kulturën përkatëse por dhe nuk ka bërë vaki deri më sot t’u ketë thënë ndokush puna e mbarë. Të të pyes zoti “specialist” çfarë pune ke bërë deri më sot në fushën që po diskuton me aq energji e pathos? Cilin objekt monument apo sit arkeologjik ti e ke trajtuar në projekt apo realizim? Për ti bërë bisht këtij arsyetimi ti shpesh në përgjigjen tënde thua se nuk je arkitekt por në të njëjtën kohë nuk ngopesh duke dhënë mend për këtë fushë dhe duke prerë me sëpatë të madhe gjërat, sikur të ishe superarkitekti dhe restauratori më i kualifikuar.

Sa në vështirësi na ke venë të gjithë profesionistëve të fushës! Me tendencën këmbëngulëse tënde për të “diskredituar “punët dhe kontributin tim në restaurimin dhe kurimin e vlerave monumentale, ti nuk më “trëmb” vetëm mua por po i kall datën edhe një pjesë të mirë të kolegëve, të cilët kujtojnë se kanë dhënë kontribute. Sa para bënë, le të kemi punuar ne me vite dhe në një numër të madh monumentesh, por sa kohë nuk e njeh ti çdo gjë u ktheka në nul!
Kur unë fillova të realizoj punimet për restaurimin dhe rijetëzimin në Manastirin dhe Kishën e Shën Mërisë në Ardenicë, vitet 1983-1995 ti ke qenë në shkollën e mesme ushtarake. Kur unë përfundova kualifikimin në fushën e restaurimeve dhe trajtimin e monumenteve të arkitekturës në Firence të Italisë ti vije vërdallë nëpër Tiranë si Kadet. Kur realizoja projektin dhe drejtova punimet për restaurimin e rijetëzimin e komleksit të Manastirit të Apolonisë, vitet 1985-87 ti përsëri më duket ishe po aty. Po aty ti ngele edhe kur unë realizova shumë punë të tjera si psh. restaurimi i Kapelës së Shën Triadhës Ardenicë, Kisha e Shën Kozmait Kolkondas, Kompleksin turistik –kulturorë të “Real Skampis” në Kalanë e Elbasanit, Kisha në Balldren të Lezhës, Shën Kolli Kala Berat, Muzeu Arkeologjik Durrës, Muzeu Arkeologjik i Butrintit, Qendra historike Gjirokastër etj etj.

Të admiroj për kurajon dhe këmbënguljen që ke për të mbajtur fort fasadën e një “studiuesi” të thekur. Je me të vërtet i jashtëzakonshëm. Të kam “zili” veçanërisht për faktin se nuk të dridhet syri edhe pse ke mbi kurriz bëmat që të kam përmendur në fillim, Mozaiku i Melanit.
Z. Tare “studiuesi” mos harro nenet 33, 41,43,44,45 të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore. Nenet 138 dhe 160 të Kodit Penal.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Përfitoi nga amnistia penale, Sokol Sinomati i njohur si ‘Buzëderri’ arrestohet sërish pas disa orësh nga policia

Vlorë/ Përfitoi nga amnistia penale, Sokol Sinomati i njohur si ‘Buzëderri’ arrestohet sërish pas disa orësh nga policia