TIRANE - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj zhvillimeve gjatë inaugurimit të Katedrales së re Ortodokse në Tiranë. Në një deklaratë të PDIU-së theksohet se “të habitur pamë se i ishte rezervuar një vend nderi gjatë meshimit antishqiptarit Nikollas Gejxh, në krah të Vasil Bollanos. Kushdo nga organizatorët që mendon se Gejxh dhe Bollano përfaqësojnë ortodoksët shqiptar tregon se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët që janë më shumë se 90% e ortodoksëve në vend. Ata duhet të përgjigjen se me çfarë cilësie është ftuar Gejxh, i cili nuk njihet si figurë fetare, veçse si figurë antishqiptare. Kjo është një fyerje e rëndë që i bëhet kombit tonë dhe në veçanti ortodoksëve shqiptarë”.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka dënuar dhe deklaratat provokuese të Patriarkut serb Irinej.
 
“Deklaratat e Patriarkut Serb Irinej nuk janë thjesht një provokim në zemër të Tiranës, por mbi të gjitha janë mashtrime. Ai, i dehur nga një historiografi nacionaliste, që paraardhësit e tij e qepën me kujdes, deklaroi nga Shqipëria se objektet e kultit në Kosovë janë pjesë e identietit serb. Bëhet fjalë për ato objekte kulti, të fesë ortodokse, që në masë janë të ndërtuara nga shqiptarët ortodoksë para dhe gjatë mesjetës. Ato mbeten një dëshmi e patjetërsueshme e shqiptarësisë së Kosovës, po aq sa çdo element tjetër i kësaj krahine” thekohet në deklaratën e PDIU-së.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)