TIRANË – Gjakmarrja vazhdon të mbajë të ngujuara 700 familje shqiptare. Shifra zyrtare është dhënë nga instituti “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”.

"Në vendin tonë rreth 700 familje janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes dhe nga viti 2011 në analizën që kemi bërë bashkë me misionarët dhe koordinatorët e rretheve kemi realizuar 22 pajtime dhe kemi në proces dhe 43 të tilla. Këtë muaj do të realizohen dhe dy pajtime të tjera dhe shpresojmë që të tjera pajtime ti mbyllim brenda këtij muaji", thotë Agim Loci, drejtues i këtij instituti.

Në këtë frymë ISHDPK kërkon të ndërgjegjësojë opinionin publik dhe median në veçanti, për suportin, që duhet të japin në lehtësimin e këetij fenomeni, që në mënyrë fragmentare shfaqet dhe jep impaktin e saj negativ social dhe ekonomik.
Instituti deklaron se do të shqyrtojë edhe impaktin që kanë dhënë edhe degët e saj në disa vende të tjera si Kosovë, Gjermani, Francë, Kanada dhe së fundmi e hapur edhe në Shtetet e Bashkuara Amerikës. Drejtues të tij kanë kërkuar bashkepunimin e shoqërisë civile, medias dhe institucioneve përkatëse si Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe pushtetit vendor në parandalimin e këtij fenomeni.

(aq/shqiptarja.com)