Gjakovë, 5 mijë qytetarë bllokojnë
2 autobusë me serbë,4 arreste

Gjakovë, 5 mijë qytetarë bllokojnë<br />2 autobusë me serbë,4 arreste
GJAKOVE - Dy autobusë me pelegrinë serbë, janë bllokuar ditën e sotme, 100 metra pranë një kishe në Gjakovë të Kosovës. Pelegrinët kanë dashur të hyjnë në kishën ortodokse, ku do të celebrohej edhe festa e Ujit të Bekuar.
 
Sipas mediave kosovare, pelegrinët janë bllokuar nga 5 mijë persona, dhe se një nga arsyet kryesore të bllokimit të rrugëve nga ana e tyre, ka qenë edhe gjithashtu një arsye e bllokimit të rrugëve, është edhe vizita e paralajmëruar e Ministrit serb Aleksandër Vulin. Gjithashtu, protestuesit janë shprehur se serbët nuk mund të hyjnë në Gjakovë.
 
Mes protestuesve, janë edhe shumë familjarë të personave të vrarë apo të zhdukur gjatë kohës së luftës, ku njëri prej tyre, Besnik Sharani, është arrestuar nga policia, pasi kishte tentuar të bllokonte me drurë një pjesë të rrugës. Ndërkohë mes protestuesve nuk kanë munguar edhe përfaqësues të partive politike kosovare.

Në këtë aktivitet janë iniciuar gjashtë procese penale dhe janë arrestuar katër persona ku edhe prokurorët kanë mbikëqyrë punën e policisë në inicimin këtyre procedurave.
 
Më pas policia e Kosovës ka dalë me komunikatën zyrtare në lidhje me ngjarjet e sotme që ndodhën në Gjakovë. Sipas policisë, rreth orës 09:00 është mbajtur një protestë e paralajmëruar nga qytetarët si shenjë pakënaqësie e parandalimit të vizitave të pelegrinëve serbë dhe vizitën e paralajmëruar të ministrit të Qeverisë serbe Vulin, në kishën ortodokse në Gjakovë.

“Fillimisht janë tubuar rreth 150-200 qytetarë të cilët tentuan që të hyjnë në kishë dhe të bllokonin hyrjen e pelegrinëve dhe të ministrit në kishë. Kështu, protestës iu kanë bashkangjitur edhe shumë asociacione, siç janë shoqata e thirrjeve të nënave “Gjakovë” si dhe familjarë të të zhdukurve”, bën me dije policia.

Ndërkaq, rreth orës 13:00 dy autobusët me rreth 70 pelegrinë kanë arritur në Gjakovë, ndërsa në të hyrë në rr. “M.Teuta”, përkundër masave të sigurisë, një person ka gjuajtur me një gur autobusin dhe i dëmtoi xhamin e parë, dhe menjëherë pas kësaj, një qytetar ka vendosur veturën e tij në rrugë duke bllokuar rrugën. “Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe lidhur me rastin janë marrë masat e domosdoshme dhe menjëherë është liruar rruga”, njofton PK.

Me këtë rast, çdo pjesë e qytetit ka qenë e vërshuar nga qytetarë të pakënaqur për këtë vizitë. Gjatë kësaj periudhe, në ndihmë pjesëtarëve të policisë së stacionit policor Gjakovë, NJSO –Pejë, në ndihmë atyre u kanë dalë edhe policia kufitare dhe patrulla tjera nga stacioni policor Deçan dhe Klinë, duke mbajtur nën kontroll qytetarët e mbledhur në masë të madhe në rreth 3500-4000 veta, ku në veçanti kishte nëna të të zhdukurve me fotografi të të zhdukurve, gra dhe fëmijë.

“Kështu, në situatën e krijuar, u është ofruar siguri pelegrinëve dhe nuk ka të lënduar. Duke parë situatën në fjalë, përfaqësuesi i pelegrinëve në vizitë ka kërkuar vullnetarisht që mos të futen në kishë dhe të vazhdojnë rrugën për në Deçan. Fluksi i qytetarëve nga të gjitha anët, mbi 4000 veta, dhe që në çdo kohë shtoheshin edhe më shumë, ka vështirësuar marrjen e masave të sigurisë, mirëpo, edhe përkundër saj, në mënyrë të sigurt janë larguar [pelegrinët] në drejtim të Deçanit, në përkrahje të patrullave të stacionit dhe trafikut rajonal dega në Gjakovë, dhe janë përcjellë deri në Manastirin e Deçanit në mënyrë të sigurt”, njofton më tej policia e Kosovës.

Policia më tej bën me dije se gjatë rrugës për në Deçan, në lagjen “Dardani”, një pelegrin serb kishte hedhur një gur mbi një veturë civile dhe kishte dëmtuar xhamin e saj, mirëpo nuk është raportuar nëse i njëjti edhe është arrestuar. Policia ka njoftuar vetëm se lidhur me këtë rast, është iniciuar rasti “Dëmtim prone”. Qytetarët, sipas Policisë, janë shpërndarë të qetë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës siguroi qytetarët kosovarë se çdo vendim për lejimin apo mos lejimin e vizitave të tilla merret me përgjegjësi shtetërore dhe institucionale, duke respektuar legjislacionin në fuqi, në përputhje me interesat e qytetarëve të vendit.

Redaksia Online
(eb/ac/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane