Gjashtë gjëra që duhet të dini për krizën e pengjeve amerikane në Teheran

Gjashtë gjëra që duhet të dini për krizën e pengjeve amerikane në Teheran

Kanë kaluar më shumë se 35 vjet, që kur një grup studentësh iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng një grup amerikanësh. E kemi parë këtë histori të rrëfyer në filma si “Argo” dhe seriale televizive si “Homeland”, por më poshtë ju tregojmë gjashtë gjëra në lidhje me krizën e pengjeve të Iranit, që ndoshta nuk i keni ditur.

1) Ky konflikt përshkruhet shpesh si fërkimi i parë i Shteteve të Bashkuara me Islamin politik.

Në vitin 1979, Ayatollah Khomeini instaloi një teologji islamike anti-perëndimore, e cila zëvendësoi monarkinë pro-perëndimore të Shahut të Iranit. SHBA u quajt “Satanai i Madh” nga qeveria e re iraniane, dhe iranianët i panë Shtetet e Bashkuara me dyshim, për shkak të rolit të tyre në mbajtjen e Shahut në pushtet. Iranianët mendonin se Shtetet e Bashkuara kishin ndërhyrë shumë në punët e brendshme të Iranit, dhe kishin frikë se CIA po komplotonte për ta kthyer Shahun në pushtet. Vetë Ayatollahu bekoi marrjen e pengjeve në ambasadë, duke nxitur më tej linjën e ashpër të qeverisë kundër Shteteve të Bashkuara.

2) Ambasada e SHBA në Teheran paralajmëroi Uashingtonin, se ambasada do të sulmohej.

Deri në tetor të vitit 1979, Shahu kishte ikur nga Irani dhe po qëndronte në Meksikë. Atje, mjekët zbuluan se Shahu vuante nga një kancer agresiv dhe rekomanduan që ai të pranohej në një spital në Shtetet e Bashkuara. Situata në Teheran ishte tashmë e tensionuar, dhe kreu i misionit diplomatik në Ambasadën e SHBA në Teheran, dërgoi disa kabllograme në Uashington, duke thënë se nëse Shahu lejohej të hynte në Shtetet e Bashkuara për trajtim, ambasada do të merrej peng. Presidenti Jimmy Carter e lejoi Shahun në Shtetet e Bashkuara, edhe pse me shumë hezitim, dhe iranianët u zemëruan. Ata e panë këtë si një justifikim për të sjellë Shahun në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të komplotonin rikthimin e tij në pushtet. Kjo ndodhi vetëm disa javë para sulmit kundër ambasadës.

3) Disa nga pengjet u rrahën dhe u torturuan, madje iu nënshtruan edhe një ekzekutimi të shtirur.

Irani është përqëndruar në versionin se pengjet u trajtuan mirë, por kjo nuk është e vërtetë. Jo të gjithë pengjet u trajtuan njësoj. Dy gratë, Ann Suift dhe Kathryn Koob, thanë se ato trajtoheshin “korrektësisht” nga pengmarrësit e tyre, por të tjerët, përfshirë Al Golacinski, John Limbert dhe Rick Kupke, iu nënshtruan një ekzekutimi të shtirur, ku u zgjuan në mes të natës, të detyruar të zhvishen në të brendshme dhe u çuan me forcë në një dhomë në bodrum, ku rojet i bënë të besonin se do të ekzekutoheshin nga skuadra e pushkatimit. Rojet qëlluan me armë, por ato nuk ishin të mbushura. Pas kësaj, rojet qeshën. Pse e bënë? Limbert tha se e bënë ngaqë “menduan se do të ishte argëtuese”.

4) Pengjet u lanë të lirë, vetëm pasi u betua Presidenti Reagan.

Ted Koppel e përshkroi këtë si aktin e fundit të mizorisë së iranianëve ndaj Presidentit Carter. Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin arritur në një marrëveshje për të liruar pengjet në dhjetor, iranianët pritën deri minutën kur u betua Presidenti Reagan përpara se të lejonin aeroplanin me pengje të ngrihej në fluturim. Iranianët kishin një urrejtje të thellë ndaj Carterit dhe donin t’ia mohonin këtë moment të fundit të fitores si President.

5) Pasi u liruan pengjet, ata u takuan me Presidentin Jimmy Carter.

Uilliam Daugherty, i cili u mbajt në izolim për pothuajse gjithë kohën kur ishte peng, tha: “Nuk ishte një pritje e ngrohtë”, kur Jimmy Carter fluturoi në bazën ushtarake amerikane në Gjermani, për të takuar pengjet menjëherë pas lirimit të tyre. Pengjet ishin të ndarë në mendimet e tyre. Shumë njerëz menduan se kishin mbetur të pambrojtur në ambasadë, pasi Carteri mori vendimin për lejimin e Shahut në Shtetet e Bashkuara. Daugherty tha se gjatë takimit, Carteri shkoi për të përqafuar të gjithë pengjet, dhe shumë mbetën me krahët ulur dhe nuk ia kthyen përqafimin.

6) Ish Ambasada e SHBA në Teheran është ruajtur si muze.

Ambasada në Teheran është tani qendër kulturore islamike dhe muze, i ruajtur që nga ditët kur ishte burg në vitin 1979. Ajo mbetet si një simbol i revolucionit iranian, dhe në Iran njihet si “strofulla e spiunëve”. Makina shkrimi të vjetra, pajisje komunikimi, madje edhe foto të vjetra vizash, janë të ekspozuara. Çdo vit në përvjetorin e marrjes së pengjeve, iranianët mbajnë mitingje ku këndohet “Vdekje Amerikës”, ashtu si bëhej në vitin 1979. / bota.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës