Ngrica dhe mjegulla sollën probleme në Rrugën e kombit, ku një aksident u shumëfishtë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 11 dhjetorit në segmentin Rrëshen-Kalimash. 13 automjete mes të cilëve dhe një trajler i tonazhit të rëndë, u përplasen me njëra-tjetrën dhe barrierat e rrugës në zonën e Blinishtit në Mirditë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 06:30 minuta e për pasojë mbetën të plagosur dy persona. Ata u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Mirditës, nga ku mësohet se ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën. 

Nga aksidenti u bllokua për rreth 60 minuta rruga e kombit në afërsi, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për normalizimin e qarkullimit.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shkak për aksidentin u bë prezenca e mjegullës dhe ngricave në rrugë, duke sjellë rrëshqitjen e makinave dhe përplasjen me njëra-tjetrën dhe barrierat e rrugës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:33
VIDEO/ 13 automjete përfshihen në aksident, trafik i rënduar në Rrugën e Kombit

 

Një aksident me 13 automjete të përfshira ka ndodhur në Rrugën e Kombit. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, por vetëm 2 persona të lënduar.

Për shkak të përplasjes së mjeteve, qarkullimi në drejtim të Kukësit u bllokua për rreth 1 orë duke shkaktuar radhë të gjata kilometrike.

Ora 08:27
Aksidenti në Rrugën e Kombit, 13 mjete të përfshira, Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes

Report Tv sjell pamjet nga aksidenti në Rrugën e Kombit, ku janë përfshirë 13 automjete. Siç shihet edhe në pamje, në rrugë ka pasur prezencë mjegulle që ka sjellë edhe vështirësi në fushë pamje.

Po ashtu edhe ngricat janë bërë shkak për krijimin e këtij aksidenti.