GJIROKASTËR- Një grua 46-vjeçare nga fshati Dervician, 5 km në jug të qytetit të Gjirokastrës, është gjetur e mbytur, në rrjedhën e lumit Drino. 
 
Kufoma e saj, u gjet mesditën e të dielës, nga familjarët e saj. Marijana Selo 46 vjeç, banore e fshatit Dervician të komunës Dropulli i Poshtëm, sipas familjarëve të saj, prej 2 vitesh, kurohej nga depresioni.  46-vjeçarja, sipas familjarëve, dyshohet se është vetëmbytur në lumë pasi në trupin e saj nuk u gjetë asnjë shenjë dhune.
 
Depresioni ka ardhur si pasojë e dy sëmundjeve të pashërueshme të cilat e kanë kapur gruan minoritare greke, në një moment tepër delikat në jetën e saj.
 
Ajo është larguar nga banesa, dy ditë më parë rreth orëve të mesditës, për të mos u kthyer më kurrë. Fillimisht familjarët e saj, e kanë kërkuar në banesat e të afërmve të tyre pasi shpesh ajo i vizitonte ata, ndërkohë që me kalimin e ditëve, shqetësimi bëhej edhe më evident nisur edhe nga gjendja e saj jo fort e mirë mendore.
 
Për këtë, ata kanë informuar policinë e cila në 24 orët e fundit, u vu në kërkim të saj në të gjithë territorrin përreth fshatit përfshirë edhe luginën e Drinos.
 
Pas dy ditësh kërkimi, familjarët, kanë arritur të gjejnë të pajetë njeriun e tyre të dashur, buzë bregut të lumit ku rrjedha e kishte nxjerrë në një shkurre anësore.
 
Pas 3 orësh, forcat e PMNZSH, kanë arritur t’a nxjerrin kufomën e gruas 46-vjeçare nga lumi, ndërkohë që ekspertët e kriminalistikës në Policinë e Qarkut, nuk kanë konstatuar shenja dhune në trup që mund t’i ketë shkaktuar vdekjen, përveç mbytjes së vullnetshme. Ky është rasti i parë për këtë vit në Qarkun e Gjirokastrës, i personave që vetëmbyten, ndërkohë që vitin e kaluar, janë shënuar 7 raste të ngjashme. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)