MIRDITE - Një vajzë e larguar prej 22 ditësh nga banesa, është shpëtuar nga policia e Lezhës, në afërsi të Mirditës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, kanë bërë të ditur për “Shqiptarja.com”, se është arrestuar Mirash Kolaj, 27 vjeç nga Blinishi, i cili prej mëse tri javësh, kishte mbajtur në banesën e tij 21-vjeçaren me inicialet Dh.L, me të cilën kishte kryer dhe marrëdhënie seksuale. Të njëjtat burime kanë pohuar, se më 3 shkurt, në komisariatin e Lezhës është paraqitur familja e vajzës, e cila ka denoncuar largimin e saj nga banesa, por nuk kishin asnjë informacion tjetër. Menjëherë kanë nisur hetimet, si dhe kërkimet për gjetjen e të zhdukurës, por kjo është arritur vetëm sot.

Mirash Kolaj e kishte marrë vajzën dhe dërguar në banesën e tij, ku kishte kryer dhe marrëdhënie seksuale, megjithëse në banesë kishte dhe bashkëshorten e fëmijët. Siç është mësuar nga policia, vajza ka treguar para uniformave blu, se ajo kishte ikur me dëshirë në banesën e të arrestuarit, por, sipas saj, nuk kishte shkuar për të kryer marrëdhënie. Të njëjtat burime policore njoftuan, se 27-vjeçari e ka rrahur vajzën, për ta detyruar, por kjo vetëm sipas dëshmisë së saj. Uniformat blu, kanë treguar edhe mënyrën e njohjes. Dy të rinjtë, kanë nisur të komunikojnë me njëri-tjetrin me anë të telefonave celularë, ndërsa vajza i kishte shprehur dëshirën Kolajt, se donte të largohej nga banesa e nga prindërve, për të gjetur një punë. Këtë të fundit ia ka premtuar 27-vjeçari dhe më 3 shkurt, ai e ka pritur afër shtëpisë me makinë, për ta marrë më pas e për ta dërguar në banesën e tij në Blinisht, ku e ka mbajtur 22 ditë.

Të njëjtat burime policore deklaruan, se nuk kemi të bëjmë aspak me një rrëmbim apo pengmarrje, pasi vajza, ashtu siç dhe kanë deklaruar familjarët kur kanë shkuar në polici, ajo është larguar vetë nga banesa. Por, pasi ka shkuar në shtëpinë e 27-vjeçarit, është detyruar prej tij të kryejë marrëdhënie seksuale.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)