Këtë konsideratë unë e ndaj me të gjithë ushtarakët dhe Forcat e Armatosura. Ky nuk është vlerësim vetëm për mua, por ritheksoj e ndaj me të gjithë ata ushtarakë, të cilët ndajnë vlerat më të mira në funksion të zhvillimit të vendit. Energjitë dhe forcat e mija do t’i vë në funksion të qeverisë që do transformojë Forcat e Armatosura, në një forcë e denjë për Shqipërinë dhe forcë e denjë për NATO-n”, tha Gjenerali. Pavarësisht se ai e quan punë me shumë përgjegjësi, ka besim të ekipi e stafi i ri i Mbrojtjes për rezultate të shpejta pozitive.
“Sigurisht që ka shumë punë, ka shumë vështirësi, por vullneti dhe energjia pozitive që karakterizon ekipin dhe stafin e ri të Mbrojtjes, shpresojmë se do të sjellë shumë shpejt ato rezultate që priten prej shumë kohësh, qoftë nga publiku shqiptar qoftë dhe nga aleatët tanë të NATO-s. Siguria kombëtare e Shqipërisë, që realizohet në kuadër të sigurisë së përgjithshme të NATO-s, është ai parakusht madhor i cili do të mundësojë zhvillimin e gjithanshëm të vendit, në rrugën e integrimit drejt BE”, tha Lleshi. Gjeneral Sandër Lleshi, që u shkarkua kohë më parë nga Presidenti Nishani, do jetë Këshilltar i kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rama. “Emrin e Sandër Lleshit e kam dëguar për herë të parë nga Ismail Kadare, që ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si dhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht.
Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur”, shkruan Rama. Që vlerëson lart figurën e Lleshit. “I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë–nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri”, shprehet Rama.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)