Negociatat trepalëshe në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë përfunduar. Edhe pse i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte shprehur optimizëm për bisedimet të cilat zgjatën rreth dy orë, si pala ruse ashtu edhe ajo ukrainase treguan se ato kishin qenë "të vështira".
Moska dhe Kievi mbeten larg njëri-tjetrit për çështjet kryesore të territorit dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm në konfliktin katërvjeçar.
Bisedimet ishin "të vështira, por profesionale" tha kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, teksa nënvizoi se një raund i ri duhet të mbahet së shpejti.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshkroi gjithashtu negociatat si "jo të lehta" për shkak të ndryshimit në qëndrimet e të dy palëve.
“Takimet e djeshme ishin me të vërtetë të vështira dhe mund të themi se Rusia po përpiqet të zgjatë negociatat, të cilat tashmë mund të kishin arritur në fazën e tyre përfundimtare,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Më tej ai shtoi se pjesëmarrja evropiane në bisedimet trepalëshe të Gjenevës ishte "thelbësore" për të siguruar marrëveshje "të realizueshme".
"Ne besojmë se pjesëmarrja e Evropës në këtë proces është e domosdoshme për zbatimin me sukses të marrëveshjeve plotësisht të realizueshme", theksoi Zelensky.
Delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan për herë të fundit në bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi në janar, të cilat çuan në shkëmbimin e parë të disa të burgosurve.
Katër vjet pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, ende ekziston një distancë e madhe midis kërkesave të Moskës dhe asaj që Kievi mund ta konsiderojë një "paqe të drejtë".
Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, pasi për ta kjo do të ishte të heqësh dorë nga territori sovran ukrainas.
Një tjetër pikë ngërçi në bisedime është statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhisë. Termocentrali - më i madhi në Evropë ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.

Foto:Maria Zakharova
Nëse Perëndimi dhe Kievi mendojnë se Rusia do të pranojë një pushim në luftime në mënyrë që Ukraina të mund të riarmatoset, më mirë të gjejnë "idiotë" të tillë në vend, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
"A mendojnë vërtet se Rusia do ta pezullojë gjithçka dhe do ta shohë regjimin e Kievit të armatoset?", pyeti zëdhënësja.
"Epo ata do të duhet të gjejnë idiotë diku brenda kufijve të tyre për të zbatuar vendime të tilla", tha ajo.
Duke iu referuar vendeve evropiane, Zakharova theksoi se "tani ata po thonë se do t'i furnizojnë me armë Kievin, pavarësisht nga rrjedha e negociatave të paqes" dhe "kjo tregon se ata kanë vetëm një gjë në mendje: vazhdimin e masakrës".
Komente












Bravo Zakarova mos lejoni tju genjejne Perendimoret dhe te koruptuarit e Ukraines ma mire besoni Qenit sesa Zelenskit.
Përgjigju