Gjergji Papa: Ja pse humbëm
në Kolonjë, plani për vitin 2017 

Gjergji Papa: Ja pse humbëm<br />në Kolonjë, plani për vitin 2017 
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Gjergji Papa, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka deklaruar se nuk njeh asnjë përgjegjësi të strukturave të partisë dhe drejtuesve të fushatës, për humbjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Konjës.

Deputeti ka deklaruar se, blerja e votave dhe presioni i pushtetit ishin faktorët kryesorë që prodhuan humbjen e opozitës në Kolonjë, ndërsa shtoi se me këtë mazhorancë nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Papa ka komentuar edhe mungesën e prezencës të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin përmbyllës të fushatës në Kolonjë. Sipas tij, si strukturat e PD ashtu edhe të Partisë Agrare Ambientaliste janë angazhuar maksimalisht në terren.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjergji Papa, ka paralajmëruar gjithashtu se, rezultati i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Dibër dhe Kolonjë mund të përsëritet në zgjedhjet e parlamentare të 2017. Në këtë kuadër, Papa u shpreh se plani i PD për 2017 është të mundësojë krijimin e një qeveria teknike, për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të pranuar nga të gjithë.
 
-Z. Pata, Partia Demokratike humbi me një rezultat të thellë zgjedhjet në Bashkinë e Kolonjës. Sipas jush, cilat janë shkaqet dhe rrethanat e kësaj humbjeje, e katërta radhazi që nga 2013?
 
Ne bëmë maksimumin për të bërë një fushatë të ndershme dhe qytetare, por nga krahu tjetër nuk ndodhi e njëjta gjë. Së pari, blerja e votës ishte e padiktueshme. Ky është një fenomen, të cilin mazhoranca e ka ngritur në sistem. Jo vetëm e ka ngritur në sistem, por e ka çuar në perfeksion. Ne i kemi denoncuar me raste. Kishte raste në Çlirim, një vend të thellë, ku kam qenë edhe vetë, dhe blerja është e dokumentuar. Edhe në shumë vende të tjera ka pasur raste. Njëkohësisht emigrantët që erdhën e votuan, u dhanë nga 25 euro. Studentët që sollën nga Tirana, i paguan. Kjo ishte sa i takon blerjes së votave. Me këtë mazhorancë nuk mund të ketë më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së dyti, ishte presioni i madh i pushtetit. E gjithë administrata rajonale e Qarkut të Korçës, për gati një muaj, ishte e angazhuar atje. E gjithë administrata e Bashkisë së Korçës u angazhua atje. Kishin lista të sakta të të gjithë njerëzve të afërm, të familjarëve, të miqve, krushqi dhe çfarëdo që mund të kishin. Ishin shkëputur dhe ishin angazhuar atje, me qëllim për të bindur të afërmit e tyre për të votuar kandidatin e mazhorancës. Një pjesë e ministrave u angazhuan me administratat e tyre rajonale, në shkelje të Kodit Zgjedhor. Të gjithë drejtorët rajonalë, siç janë arsimi dhe shëndetësia, mblodhën punonjësit e tyre. Këto ishin faktorët kryesorë. Ndaj, me këtë mënyrë se si kjo mazhorancë po i zhvillon zgjedhjet në përgjithësi, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë e them me bindje të plotë, edhe si qëndrim politik i forcës që përfaqësoj, edhe si bindje personale.
 
-Z. Pata, krerët e Partisë Demokratike e braktisën fushatën dhe kandidatin e opozitës për Kolonjën. Kujtojmë këtu që, kryetari Basha nuk mori pjesë as në mitingun përmbyllës. A mendoni se kjo tërheqje ndikoi në rezultat?
 
Nuk është aspak e vërtetë tërheqja e Partisë Demokratike. Unë jam deputet i PD i Qarkut të Korçës, dhe jo vetëm unë, por edhe kolegë të mi, kemi qenë gjatë gjithë muajit, përjashtuar ditët që kemi qenë në Parlament, kemi qenë atje. Kanë qenë një numër i madh deputetësh të PD. E dyta, puna që kemi bërë ne ka konsistuar në angazhimin dhe mobilizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Gjithçka që është bërë atje, përveç punës shumë të mirë që bëri kandidati dhe Partia Agrare Ambientaliste, ka qenë edhe puna e mirë e strukturave të PD, sepse PAA akoma nuk ka forca të konsoliduara, kështu pjesa më e madhe në terren është bërë nga strukturat e Partisë Demokratike. Z. Basha erdhi kur bëri prezantimin e kandidatit në fillim dhe ne nuk e gjykuam të domosdoshme, për të bërë, ashtu sikundër bëri Rama, një takim të madh me njerëz të importuar nga Korça në hapje dhe po me njerëz të importuar nga Korça në mbyllje. Ne bëmë një fushatë të qetë. Nuk ishte momenti për të bërë aktivitete të mëdha elektorale në një zonë të vogël, ku ishin edhe zgjedhje të parakohshme. Nuk ishte një fushatë normale zgjedhore për shkak të ndarjes nga jeta, në mënyrë të parakohshme të kryetarit të bashkisë.
 
-Përtej të gjitha këtyre pretendimeve, a i njihni ju ndonjë përgjegjësi strukturave të PD dhe drejtuesve të fushatës për humbjen në Kolonjë?

 
Jo. Unë e kam ndjekur nga afër këtë fushatë. Kam parë një angazhim maksimal, jo vetëm të strukturave të PD, por edhe të strukturave të Partisë Agrare Ambientaliste, të krerëve të PAA, që nga vetë z. Duka, i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës atje. Jam përpjekur të bëjmë një fushatë qytetare, duke u kërkuar njerëzve që të votojnë për një ndryshim, në një zonë të varfër, e cila është katandisur në atë gjendje në sajë të qeverisjes lokale të Partisë Socialiste që nga viti ’90 e këtej. Ky është realiteti. Dhe ata le të vuajnë këtë votim. Por, mendoj se puna e bërë nga shtabi i fushatës dhe nga njerëzit tanë ka qenë më se korrekte dhe qytetare, në përputhje të plotë me të gjithë detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor. Faktorët që ngrita më lart nuk janë vetëm në Kolonjë, por janë ngritur në një sistem në të gjithë Shqipërinë dhe për mua janë një shqetësim i madh për të ardhmen.
 
-Jemi 7 muaj larg zgjedhjeve parlamentare. A mendoni se rezultati i Dibrës dhe i Kolonjës mund të përsëritet në 2017, tashmë në të gjithë Shqipërinë? Do vijojë PD duke përsëritur të njëjtat pretendime pas çdo humbjeje apo ka një plan për 2017?
 
Kur kjo u përsërit në zgjedhje e parakohshme lokale, siç ishte Dibra dhe Kolonja, merreni mend se çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet kombëtare. Ndaj, duhet të ketë një qeveri teknike që të përgatisë dhe të menaxhojë të gjithë procesin zgjedhor, me qëllim që të kemi një proces zgjedhor të pranuar nga të gjithë, të ndershëm dhe korrekt.
 
-Qeveria teknike nuk ka gjasa të pranohet si opsion. Çfarë do të bëjë PD?

 
Do të ndjekim të gjitha hapat që janë në përputhje me një vend demokratik dhe me shtetin ligjor. PD ka që në muajin Maji, që po kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor, po kërkon numërim elektronik dhe financim të fushatës nga shteti, por ka kaq kohë që mazhoranca nuk ka shprehur as dëshirën më minimale për të ndryshuar ligjin zgjedhor. Ne do të ndjekim të gjitha hapat e mundshme për të mundësuar një gjë të tillë.
 
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë