Në raportin të organizatës Malterser për integrimin e fuqisë së ardhur punëtore në Gjermani, flitet për "përparime habitëse", kur bëhet fjalë për gjendjen e migrantëve të futur në tregun gjerman të punës.
Qëllimi i shoqatës Malteser ka qenë që në kohën e debateve të nxehta të paraqesë një raport me sa më shumë fakte.
Botuesi i raportit është një organizatë katolike, e cila ndihmon edhe procesin e integrimit.
Përgjegjës për pjesën shkencore në Malteser është Instituti Walter-Eucken. Drejtori Lars Feld konstaton: "Integrimi gjatë viteve të fundit, madje edhe integrimi i refugjatëve, ka qenë shumë më i mirë se sa që është menduar në fillim."
Lajme të mira, të cilat kanë të bëjnë në radhë të parë me futjen e fuqisë punëtore të huaj në tregun e punës në Gjermani.
Integrimin më të mirë në këtë fushë e kanë arritur migrantët nga vendet prej nga ka ardhur numri më i madh i refugjatëve - nga Afganistani, Eritrea, Iraku, Irani, Nigeria, Pakistani, Somalia dhe Siria. Krahasuar me prillin e vitit 2017, numri i të punësuarve nga ky grup i njerëzve është dyfishuar: Në prill të vitit 2019 ka pasur rreth 312.000 persona të punësuar.
E ngarkuara më çështjet e integrimit në qeverinë gjermane, Annette Widmann-Mauz, e vlerëson këtë si sukses. "Zhvillimet në katër vitet e fundit kanë qenë shumë më pozitive, se sa që kanë menduar ekspertët", thotë ajo për gazetën "Rheinische Post".
Disponimi i përgjithshëm
Optimizmi po rritet edhe tek banorët tjerë të Gjermanisë - të paktën sa i përket integrimit të migrantëve dhe efekteve në ekonomi. 36,1 % e gjermanëve e shohin ardhjen e migrantëve dhe refugjatëve si një shans për ekonomi. Kjo do të thotë se besimi i gjermanëve ndaj këtyre kategorive është shtuar për 9 % më shumë, në krahasim me vitin 2016. Besimi është rritur për shkak të procesit të suksesshëm të integrimit në tregun e punës dhe uljes së numrit të azilkëkruesve.
Por njëkohësisht është rritur edhe numri i njerëzve të shqetësuar për sigurinë në Gjermani. Vitin e fundit plot 71,6 % e të anketuarve e shohnin ardhjen e azilkërkuesve si një rrezik për sigurinë në vend. Kjo do të thotë dy përqind më shumë se në vitin 2016.
Ndërkohë që Gjermania është një vend shumë më i sigurt se sa në vlerësimet e të anketuarve, jo vetëm në kontekstin e migrantëve por në përgjithësi. Niveli i kriminalitetit në Gjermani ka rënë vitet e fundit. Gjatë vitit 2009 ka pasur rreth gjashtë milionë vepra penale, ndërsa në vitin 2018 vetëm rreth 5,4 milionë. Vitin e kaluar janë kapur rreth 1,93 milionë persona që kanë bërë vepra të ndryshme kundërligjore. 69,5 % prej tyre kanë qenë gjermanë, ndërsa 30,5 % me origjinë të huaj.
Problemi mund të zgjidhet
Raporti i parë i Malteser për migrantët është botuar në vitin 2017. Në këtë raport është prezantuar influenca e refugjatëve dhe të ardhurve të tjerë në sistemin financiar në Gjermani. Sipas dokumentit, një azilkërkues paraqet ngarkesë edhe më të madhe për sistemin, në qoftë se potencialet e tij nuk shfrytëzhohen në tregun e punës. Tre vite më pas vjen bilanci i parë: Integrimi i refugjatëve në tregun gjerman të punës po shkon më shpejt se sa që ishte planifikuar. Përveç kësaj, asokohe është llogaritur me një numër edhe më të madh të të ardhurve në Gjermani.
Në këtë mënyrë janë zvogluar edhe shpenzimet për ndihmat sociale. Karl Prinz zu Löwenstein nga organizata Malteser konstaton: Raporti dëshmon se "integrimi i të ardhurve, pra edhe i refugjatëve, ka qenë një problem i zgjidhshëm për Gjermaninë. Kjo vlenë në veçanti për sektorin e financave."