Ende është e paqartë se kush do të jetë udhëheqësi i ri gjerman, pasi në zgjedhjet e së dielës asnjë partit nuk siguroi shumicën e duhur. Ndërkohë po vazhdojnë diskutimet mes partive rivale rreth krijimit të një koalicioni qeverisës. Aktualisht Olaf Scholz shihet si kandidati më i mundshëm për të pasuar Kancelaren Angela Merkel – por rezultati ende është i pasigurt.
Social Demokratët po festojnë pasi fituan shumicën e votave – gati 26 për qind. Udhëheqësi i partisë Olaf Scholz tha se votuesit i dhanë partisë mandatin për të qeverisur.
“Ata fuqizuan tri parti: Social Demokratët, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë. Ky është mandat i qartë i dhënë nga qytetarët e këtij vendi. Këto tri parti duhet të formojnë qeverinë e ardhshme”, tha zoti Scholz.
Por Kristianë Demokratët e Kancelares Angela Merkel dolën të dytët me një diferencë më pak se 2 për qind dhe udhëheqësi i partisë tha se nuk do të heq dorë.
“Të dy partitë e vogla kanë thënë se kjo nuk është automatike dhe se secila prej partive të mëdha ka të drejtë të thotë se me cilat parti do të bisedojë“, tha Armin Laschet.
Pra, duket se të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë do të jenë përcaktuesit e koalicionit. Të dyja partitë thonë se po i mbajnë alternativat të hapura.
“Dy partitë e mëdha kanë pësuar humbje të mëdha në vitet e fundit. Duhet të ketë një forcë të re në qeverisje”, tha Annalena Baerbock, kandidate për Kancelare nga Partia e Gjelbër.
Tani për tani, një koalicion mes Socialdemokratëve, Demokratëve të Lirë dhe të Gjelbërve shihet si më i mundshmi.
Kjo do ta bënte Olaf Scholzin kancelarin e ri gjerman. Aktualisht ai është zëvendës-kancelar në qeverinë e koalicionit të madh që po largohet.
Deri më 2018 zoti Scholz ishte kryebashkiak i Hamburgut, qytetit të dytë më të madh në Gjermani.
“Olaf Scholz nuk është aspak karizmatik. Ai ka karizëm sa edhe Angela Merkel. Kjo është e përbashkëta e tyre dhe ndoshta ky është një avantazh, nëse ai do të bëhet kancelar. Scholz gjithmonë është i përgatitur mirë. Ai ka një ide social demokrate dhe një program për të cilin duhet të vlerësohet”, thotë Axel Schroder korespondent nga Hamburgu i radios gjermane “Deutschlandfunk”.
Programi i brendshëm përfshin rritjen e pagës minimale, ndërtimin e më shumë shtëpive dhe reformën e pensioneve. Në politikën e jashtme Scholz nuk planifikon ndonjë ndryshim të madh.
“Përparësia kryesore për politikën gjermane do të jetë formimi i një Bashkimi Evropian më të fortë dhe më sovran. Realizimi i kësaj do të ketë ndikim në strategjinë kombëtare të politikës së jashtme gjermane. Partneriteti Transatlantik është thelbësor për ne në Gjermani dhe për një qeveri që do të udhëhiqet nga unë“, tha zoti Shcolz.
Por udhëheqja e tij nuk është e garantuar. Derisa partitë rivale të pajtohen për formimin e qeverisë së re, Angela Merkel do të jenë në pushtet. Ajo mund të jetë në këtë detyrë edhe për shumë javë - e madje edhe muaj./VOA