Gjermania po përgatit një program të ri raketash me vlerë gati 12 miliardë euro, me synimin për të forcuar aftësitë ushtarake dhe për të penguar një kërcënim të mundshëm nga Rusia. Sipas dokumenteve të Ministrisë së Mbrojtjes të siguruara nga POLITICO, plani parashikon krijimin e një arsenali armësh me rreze të gjatë veprimi, të afta të godasin objektiva qindra apo edhe mijëra kilometra pas vijës së frontit.
Dokumentet e brendshme e cilësojnë projektin si një nga prioritetet kryesore të Gjermanisë dhe NATO-s, në një kohë kur vendet evropiane po investojnë gjithnjë e më shumë në mbrojtje përballë asaj që e konsiderojnë një rrezik në rritje nga Rusia.
Objektivi është që ushtria gjermane të ketë mundësinë të godasë qendra komanduese, baza ajrore, lëshues raketash dhe pika logjistike thellë në territorin e kundërshtarit, duke ruajtur një kapacitet reagimi me armë konvencionale, pa kaluar pragun bërthamor.
Programi është ndarë në katër faza. Raketat e para pritet të hyjnë në përdorim që vitin e ardhshëm, ndërsa sistemet më të avancuara do të zhvillohen së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe synohet të jenë gati në mesin e dekadës së ardhshme.
Sipas dokumenteve, për realizimin e projektit do të nevojiten pothuajse 12 miliardë euro nga buxheti i shtetit. Financimi nuk është miratuar ende dhe shifrat janë dorëzuar si pjesë e procesit të hartimit të buxhetit të qeverisë.
Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë shifrën apo programet konkrete. Një zëdhënës tha se çdo masë e tillë kërkon miratimin e Bundestagut dhe ministria do të shprehet vetëm pasi parlamenti të shqyrtojë projektet.
Pjesa që pritet të ecë më shpejt është zhvillimi i një rakete të re lundruese me kosto të ulët, e cila synohet të futet në shërbim në vitin 2027.
Dokumentet përmendin tre kandidatë për këtë program: raketën Anthem të kompanisë amerikano-izraelite Covenant Industries, raketën BARS të ofruar nga një kompani ukrainase dhe raketën Flamingo të kompanisë ukrainase Fire Point. Berlini është në negociata me dy prej këtyre kompanive dhe synon të marrë raketat për testim që vitin e ardhshëm. Paralelisht po përgatiten edhe kontratat për prodhimin masiv të tyre.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, raketa e re është projektuar të jetë me kosto të ulët dhe e përshtatshme për prodhim në sasi të mëdha, në mënyrë që të përdoret së bashku me raketat shumë më të shtrenjta.
Ky është një mësim që Berlini thotë se e ka nxjerrë nga lufta në Ukrainë, ku përdorimi i dronëve dhe raketave me kosto më të ulët ka rezultuar efektiv në goditjen e infrastrukturës ushtarake dhe rafinerive ruse.
Kur programi u bë publik për herë të parë në qershor, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se aftësia për të goditur objektiva të rëndësishëm larg vijës së frontit është bërë "e domosdoshme për një parandalim të besueshëm". Sipas saj, sistemet me kosto të ulët mund të mbingarkojnë mbrojtjen ajrore të kundërshtarit përmes sulmeve masive.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e planit lidhet me raketat amerikane Tomahawk. Kancelari Friedrich Merz deklaroi në fillim të korrikut se gjatë samitit të NATO-s në Ankara ishte arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerjen dhe vendosjen e këtyre raketave në Gjermani.
"Po mbyllim një boshllëk të rëndësishëm strategjik në mbrojtjen tonë", tha Merz, duke shtuar se në të njëjtën kohë Gjermania do të vazhdojë zhvillimin e sistemeve evropiane.
Sipas planit, Gjermania synon që deri në fund të kësaj dekade të ketë kapacitetin fillestar të lëshuesve amerikanë Typhon, të pajisur me raketa Tomahawk. Kjo do t'i japë Berlinit një armë me rreze të gjatë veprimi që është tashmë e provuar në përdorim, ndërsa alternativat evropiane vazhdojnë të zhvillohen.
Dy projektet e fundit do të realizohen në bashkëpunim me Britaninë e Madhe. Të dy vendet po zhvillojnë një raketë të re lundruese dhe një armë hipersonike, pjesë e marrëveshjes Trinity House, me objektivin që sistemet e para të jenë gati në mesin e dekadës së ardhshme.
Qeveritë e Gjermanisë dhe Britanisë kanë bërë të ditur më herët se armët e reja do të jenë në gjendje të godasin objektiva në një distancë mbi 2 mijë kilometra.
Pikërisht ky projekt përbën pjesën më të madhe të kostos së parashikuar. Dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes parashikojnë afro 9 miliardë euro për zhvillimin dhe blerjen e armëve hipersonike, si edhe 182 milionë euro për mirëmbajtjen e tyre. Një tjetër 1.8 miliardë euro është planifikuar për zhvillimin dhe blerjen e raketave lundruese, ndërsa 97 milionë euro do të përdoren për mirëmbajtje. Në total, fondet e nevojshme arrijnë në rreth 12 miliardë euro.
Programi përfaqëson një ndryshim të madh në strategjinë ushtarake të Gjermanisë. Në vend që të presë zhvillimin e një sistemi të vetëm evropian, Berlini po synon të ndërtojë disa shtresa aftësish: raketa të lira që mund të prodhohen në numër të madh, raketa amerikane Tomahawk që mund të përdoren më shpejt dhe sisteme të avancuara evropiane që do të hyjnë në shërbim në vitet në vijim.
Ky program po zhvillohet ndërsa drejtuesit ushtarakë gjermanë paralajmërojnë se Rusia mund të jetë në gjendje të kërcënojë territorin e NATO-s deri në fund të kësaj dekade.






Komente
Komento