Autoritetet gjermane kanë njoftuar se kanë arrestuar një shtetas rus nën akuzat se ka dërguar informacione të ndjeshme nga një universitet gjerman në Moskë.
I dyshuari u identifikua vetëm si Ilnur N. dhe në bazë të deklaratave të policisë ka dërguar informacione në këmbim të një pagese. Zyra e Prokurorit Publik Federal përmes një deklarate më 21 qershor tha se "i dyshuari kishte punuar për një shërbim sekret rus që nga fillimi i tetorit 2020”.
Më 18 qershor forcat e sigurisë e arrestuan dhe e dërguan në paraburgim .
Njoftohet se ai ka punuar si asistent i hulumtimeve në një universitet gjerman, emri i të cilit nuk u bë i ditur.
I dyshuari është takuar me një anëtar të një shërbimi sekret rus të paktën tre herë midis tetorit 2020 dhe qershorit 2021.
Në pritje të një padie të mundshme, një gjykatës në Gjykatën Federale ka urdhëruar masën e paraburgimit për të dyshuarin.