Ministrat e qeverisë gjermane kanë miratuar një ligj të ri që i jep Berlinit fuqinë për të vendosur masa kufizuese anti-COVID në të gjithë vendin.

Nëse deputetët kalojnë legjislacionin, kufizimet do të futen automatikisht në rajonet të cilat kanë shënuar rritje të konsiderueshme të COVID-19.

Shtetet do të jenë akoma në gjendje të vendosin rregulla më fleksibël në rajone me më pak se 100 raste të reja për 100,000 banorë.

Kjo do të jetë hera e parë që qeveria qendrore do të hyjë në kompetencat e landeve, pasi prej javësh krerët e tyre kanë refuzuar të fusin rajone në shtetrrethim të fortë pavarësisht kërkesës së qeverisë.

Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar se ligji është i nevojshëm pasi situata në Gjermani po bëhet përditë e më shumë kritike pavarësisht masave të shumta kufizuese.

“ Shërbimet e emergjencës në të gjithë vendin janë të tej mbushur dhe kjo është shenjë për të treguar sesa serioze është situata. Dhe të gjithë duhet ta marrim seriozisht. Vala e tretë e pandemisë ka goditur fuqishëm vendin tonë."

Ministrat ranë dakord që kompanitë do të duhet t'u ofrojnë të gjithë punonjësve që nuk janë duke punuar nga shtëpia të paktën një test për COVID-19 çdo javë dhe se prindërit do të marrin leje të paguara për t'u kujdesur për fëmijët që nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të pandemisë.

Që nga fillimi i pandemisë, Gjermania ka regjistruar më shumë se 3 milion të infektuar dhe 78,746 viktima nga COVID-19.