Shërbimi sekret i brendshëm gjerman ka vendosur të përdorë një platformë franceze të inteligjencës artificiale në vend të gjigandit amerikan Palantir, në një lëvizje që shihet si përpjekje e Europës për të ulur varësinë nga teknologjia amerikane në sektorët e sigurisë.
Sipas mediave gjermane, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) do të përdorë softuerin “ArgonOS” të kompanisë franceze ChapsVision për analizimin e sasive të mëdha të të dhënave dhe ndihmën në hetime inteligjence.
Sistemi përdor inteligjencën artificiale për të përpunuar informacione të ndryshme dhe për t’ua paraqitur ato analistëve të sigurisë në mënyrë më të shpejtë dhe të organizuar.
Vendimi vjen në një kohë kur në Gjermani po zhvillohet debat i fortë për përdorimin e teknologjive amerikane në institucionet e sigurisë. Autoritetet gjermane druhen se mbështetja e tepërt te kompanitë amerikane mund të krijojë varësi strategjike dhe probleme me privatësinë e të dhënave.
“Duke zgjedhur ArgonOS, Gjermania po jep një sinjal të qartë për sovranitetin digjital europian”, deklaroi Marc Henrichmann, kreu i komisionit parlamentar që mbikëqyr shërbimet sekrete gjermane.
Megjithatë, ai theksoi se sistemi francez duhet ta provojë veten në praktikë dhe se performanca mbetet kriteri kryesor. Platforma franceze përdoret tashmë nga disa agjenci sigurie në Francë, përfshirë edhe shërbimin e inteligjencës së brendshme.
Vendimi vjen në një moment kur në Gjermani po zhvillohet debat i fortë për përdorimin e teknologjive amerikane në sistemin e sigurisë. Disa struktura policore gjermane përdorin tashmë softuerin e kompanisë amerikane Palantir, ndërsa Ministria e Brendshme po shqyrton mundësinë që teknologjia e saj të përdoret edhe nga forcat federale.
Kritikët paralajmërojnë se një varësi e tillë mund të sjellë probleme me mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtat themelore dhe kontrollin mbi informacionet sensitive të shtetit.
Shefi ekzekutiv i Palantir, Alex Karp, reagoi së fundmi ndaj skepticizmit gjerman duke deklaruar në një intervistë për BILD se softueri i kompanisë së tij përdoret në “çdo fushëbetejë serioze në botë”. Ai tha se e kupton dëshirën e vendeve për sisteme të pavarura, por vuri në pikëpyetje nëse Gjermania mund të përballojë refuzimin e teknologjisë amerikane.
Megjithatë, sistemi francez ArgonOS nuk mund të përdoret plotësisht derisa Gjermania të miratojë reformën e re të ligjit për inteligjencën. Ndryshimet parashikojnë zgjerimin e kompetencave digjitale të shërbimeve sekrete, lehtësimin e shkëmbimit të të dhënave me policinë dhe rregulla të reja për kohën e ruajtjes së të dhënave personale.
Komente









