Qeveria gjermane e klasifikon Francën, Sllovakinë dhe Republikën Çeke që nga e diela si zona me incidencë të lartë, për të cilat kërkohen me detyrim teste, për të hyrë në Gjermani. Deri në një njoftim të ri, kufiri mund të kalohet vetëm kur ke një test negativ për Covid19, i bërë në 48 orët e fundit.
Për Sllovakinë dhe Republikën Çeke, kjo do të thotë kalim në një grup më pak të rrezikshëm: më parë ato konsideroheshin zona të variantit të virusit, pra në nivelin më të lartë të rrezikut. Gjithashtu është rishikuar klasifikimi përkatës i landit austriak të Tirolit; tani Tiroli është përcaktuar si zonë rreziku. Më 14 shkurt, qeveria gjermane i shpalli pjesë të mëdha të Tirolit, Republikës Çeke dhe Sllovakisë si zona me variante veçanërisht të rrezikshme të virusit. Vetëm gjermanët dhe të huajt me leje qëndrimi dhe qëndrim në Gjermani u lejuan të hyjnë. Përjashtimet e vetme ishin për shoferët e kamionëve dhe punonjësit ndërkufitarë me profesione të rëndësishme për stabilitetin e sistemit.
Prej javësh nuk ka pasur më lidhje të rregullta me tren dhe autobus midis Republikës Çeke dhe Gjermanisë. Kjo mund të ndryshojë tani.
Situata në Francë po përkeqësohet
E ndryshme është gjendja në Francë: situata e infektimeve atje ishte përkeqësuar vazhdimisht gjatë javëve të fundit. Në 24 orët e fundit, autoritetet raportuan 41.869 infektime të reja - të premten e kaluar kishte 35.088. Situata në spitale në disa rajone është jashtëzakonisht e tensionuar. Numri i infektimeve të reja për 100.000 banorë brenda një jave është aktualisht më shumë se 300.
Prej vlerës 200 të incidencës. Klasifikimi si zonë me incidencë të lartë ndodh kur arrihet shifra 200 e incidencës
Dreyer: Masa nuk drejtohet kundër Francës
"Ka rëndësi për ne që ta frenojmë procesin e infektimeve dhe t'i mbajmë akoma të hapur kufijtë," tha kryeministrja e landit të Rajnland-Pfalcit, Malu Dreyer. Klasifikimi si zonë me incidencë të lartë nuk drejtohet në asnjë mënyrë kundër partnerëve në Francë, por kundër virusit.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian i tha stacionit Franceinfo se rregullat e reja do të shkaktonin probleme për udhëtarët e rregullt. Por po bëhen përpjekje që ata të dëmtohen sa më pak të jetë e mundur. Edhe pranverën e kaluar kishte kontrolle në kufirin francez. Për shkak të kësaj, gjendja shpirtërore në zonat kufitare është e acaruar.
Merkeli: "faktikisht të nevojshme"
Kancelarja Angela Merkel tha të enjten në konferencën e saj të shtypit në samitin e BE për klasifikimin e mundshëm të të gjithë Francës si një zonë me incidencë të lartë, se nuk është fjala për "deklarata të vullnetit politik, por për vështrim të incidencave afatgjata". Kur incidenca shtatëditore është "e qëndrueshme" në më shumë se 200 infektime të reja të Coronas për 100.000 banorë, "zona klasifikohet si zonë rreziku". Në rastin e Francës, kjo duket "de facto e nevojshme", por nuk do të thotë se do të ketë automatikisht kontrolle të kufijve.
Kancelarja theksoi se ekziston "një procedurë shumë specifike se kush duhet të paraqesë teste dhe sa shpesh". Kjo do të diskutohet me Francën dhe do të merren parasysh periudhat e nevojshme të tranzicionit. Pas klasifikimit të rajonit kufitar francez Moselle si zonë të varianteve të virusit në fund të shkurtit, ka "procedura tashmë të stabilizuara mirë". "Unë nuk mendoj se kjo është një masë veçanërisht e dukshme ose e veçantë," shtoi Merkel./ DW