/ATSH/.- Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, me të cilën kanë biseduar për prioritetet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit në Bashkim Evropian.

Me këtë rast, ministri Çollaku falenderoi ambasadoren Viets për ndihmën e deritanishme dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

"Kosova dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe, ndërsa në kontekstin e integrimeve evropiane kemi përkrahje të plotë nga qeveria e Gjermanisë, për të cilën edhe falenderoj ambasadoren Viets", u shpreh ministri.

Kosova, vijoi ai, mbetet e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve të saj në rrugën drejt BE-së dhe presim që të njëjtin përkushtim ta tregojë edhe BE-ja në qasjen ndaj Kosovës.
"Në raport me MSA-në , ne kemi përfunduar negociatat dhe kemi bërë përafrimin e atij dokumenti të cilin presim ta nënshkruajmë gjatë këtij viti. Ndërsa lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Kosova është në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e vizave dhe me plot të drejtë presim që Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim të merituar për Kosovën dhe qytetarët tanë", tha ministri Çollaku.