TIRANË - Tek “100 arsye për të mos votuar Berishën”, Partia Socialiste sot ka argumentuar edhe gjendjen e fëmijëve në Shqipëri. Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni ka paraqitur një raport të fundit të Unicef, por dhe të tjera studime të BE dhe DASH për fëmijët në Shqipëri.

GJENDJA E FËMIJËVE NË SHQIPËRI

Në raporktin e UNICEF, të cilit i referohet Eglantina Gjermeni, një në 4 fëmijë sot në Shqipëri është i varfër; një në 3 fëmijë është në nevojë, por prej këtyre vetëm 1/3 merr shërbim përkujdesje, ndërkohë që në Shqipëri janë 160 mijë familje, që jetojnë me ndihmë ekonomike.

"25% e fëmijëve jetojnë në varfëri, që do të thotë se janë më të paushqyer, më shëndetligj, nuk kanë akses në shërbime apo arsim. Këto të dhëna nuk janë akuza nga opozita, por janë një studim i UNICEF”, ka theksuar Gjermeni. Ao ka renditur të tjera statistika, se si 54,3% e fëmijëve të varfër në grupmoshën nga 6-18 vjeç nuk e ndjekin shkollën, sepse nuk përballojnë dot shpenzimet.

"Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të regjistruar në gjendjen civile, çka do të thotë që ata nuk arsimohen e nuk përfitojnë nga asnjë shërbim e asnjë skeme ndihme. Edhe ato pak shërbime që ofrohen sot, plotësojnë vetëm më pak se gjysmën e nevojave të fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve për kujdes shëndetësor, mbrojtje shoqërore, arsim e zhvillim janë larg kushteve dhe standardeve të zhvillimit normal të fëmijëve", ka nënvizuar Gjermeni.

Sipas saj, qeveria shqiptare dështoi në luftën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka thuajse asnjë lloj shërbimi social shtetëror për të ndihmuar fëmijët, viktima të dhunës. Për Gjermenin, Instituti i Statistikës, INSTAT, raporton se në Shqipërinë e sotme 54 mijë fëmijë të moshës 5-17 vjeç, pra 7.7 për qind e fëmijëve shqiptarë, janë fëmijë punëtorë.

Këta fëmijë janë të punësuar në miniera, në ndërtim, punojnë në kushte çnjerëzore dhe për pak qindarka, me të cilat u duhet të përballojnë jetesën apo u duhet të kontribuojnë në buxhetet e urisë të familjeve të rrënuara në këto 8 vite. Këta fëmijë janë të braktisur, rrezikojnë jetën ditën për diell, rrezikojnë shëndetin, dëmtohen, sëmuren dhe sikur të ishin skllevër shfrytëzohen në indiferencën dhe heshtjen absolute të shtetit të tyre.

"Pavarësisht, se në Shqipëri puna e fëmijëve është ndaluar me ligj, fëmijët në Shqipërinë e Sali Berishës përbëjnë 28.5% të kontingjentit të punëtorëve të mitur. Historia e shfrytëzimit skllavërues të punës së fëmijëve është bërë tashmë fenomen tek ne, edhe akoma më keq në sipërmarrje të mbikëqyrura nga shteti si në Gërdec, ku katastrofa i kaloi kufijtë e dhimbjes."

Gjermeni ka shtuar edhe raporte të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshi edhe raportet e Komisionit Europian dhe Departamentit amerikan të Shtetit, të cilat theksojnë se: Fëmijët në Shqipëri vuajnë diskriminimin, neglizhimin, abuzimin dhe bien ende pre e trafikimit; mungon vullneti i qeverisë për ta zgjidhur situatën duke mos ndërmarrë as politika e duke mos alokuar as buxhete.

ZGJIDHJA E SITUATËS SIPAS SOCIALISTËVE

"Ne, socialistët, e konsiderojmë çështjen e shërbimeve për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve si një pasqyrë të humanizmit dhe përgjegjshmërisë së shoqërisë", ka thënë Gjermeni.

Zgjedhja për socialistët është ofrimi i shërbimeve të parandalimit, ndërhyrjes dhe të integrimit për të gjithë fëmijët me probleme sociale, në nevojë e në rrezik, veçanërisht për jetimët, fëmijët me një prind, fëmijët e ngujuar, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, fëmijët romë dhe egjiptianë, fëmijët e emigrantëve dhe fëmijët e margjinalizuar për arsye ekonomike dhe sociale, mbi të cilët rëndojnë sot shumë probleme sociale që frenojnë ose pengojnë zhvillimin e tyre.

Dyfishim i investimev për shërbimet cilësore arsimore, shëndetësore, sociale, kulturore, argëtuese, sportive, të përballueshme e të përdorshme nga të gjithë fëmijët, pavarësisht të ardhurave dhe aftësive paguese të familjeve.

Brenda mandatit të parë qeverisës, me fondet e buxhetit të shtetit dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe sektorin privat, PS premton të organizojmë shërbimet e parandalimit, ndërhyrjes dhe riintegrimit të fëmijëve në familjet e komunitet.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)