TIRANË, 5 Mars / ATSH/ - Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, merr pjesë në Workshopin që po zhvillohet nga ministria që ajo drejton, në bashkëpunim me Bankën Botërore, mbi përfundimin dhe rezultatet e Projektit "Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare", financuar nga Banka Botërore me një vlerë totale financimi 35.16 milionë dollarë.
Në fjalën e saj, ministrja Gjermeni u shpreh se "Asistenca teknike dhe financiare e ofruar nga Banka Botërore, i ka shërbyer vendit, për të krijuar infrastrukturën e duhur dhe mbrojtjen mjedisore për të zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të turizmit".
"Ky projekt, me shumë komponentë, ku synimi kryesor ka qënë zhvillimi i qëndrueshëm dhe i integruar ekonomik, mjedisor, turistik, e kulturor i Bregdetit Jugor të vendit, u arrit të zbatohet falë përkushtimit të të gjithë aktorëve, Qeverisë, Bankës Botërore, njësive vendore dhe komunitetit", theksoi ministrja Gjermeni.
"Të gjitha mësimet dhe përvojat e nxjerra nga zbatimi i këtij projekti, do të na shërbejnë, që në të ardhmen e afërt të hartojmë projekte realiste, efikase me cilësi dhe në kohë, në shërbim të zhvillimit të integruar dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit", theksoi Gjermeni.
Nga ana e saj, Tahseen Sayed, menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, tha se "aktiviteti i sotëm po zhvillohet në kohën e duhur për të folur për rezultatet e projektit dhe ndikimin e tij në jetën e njerëzve. Është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer ide mbi angazhimin e adhshëm për mbrojtjen dhe rigjenerimin e zonës bregdetare, pasuri natyrore e Shqipërisë, e cila mund të shëbejë si gur themeli për turizëm të qëndrueshëm". Punimet vazhdojnë. /a.ke/











