"Gjethi" kthehet në muze, Rama
"Hapim tunelet e nëndheshme"

TIRANE - “Shtëpia e Gjetheve”, godina 84-vjeçare e përdorur nga ish-Sigurimi i Shtetit si epiqendra e përgjimeve të diktaturës komuniste, do të hapet për herë të parë për publikun. E zhveshur nga gjethet që i jepnin kësaj godine edhe pamjen e një simboli të ndaluar për shqiptarët, shume shpejt ndërtesa do të përfaqësojë një muze të hapur, pagëzuar "Muzeu i Gjetheve", projekti i të cilit u prezantua këtë të shtunë nga Ministria e Kulturës. Ky muze, veç pajisjeve që regjimi komunist përdorte për përgjime, do të jetë edhe muze historish njerëzore.

Rama: Hapim tunelet e nëndheshme
Shndërrimi në Muze i “Shtëpisë së Gjetheve”, një nga godinat kryesore të Shërbimit të Shtetit për përgjimet, nuk do të jetë projekti i fundit i qeverisë që do të nxjerrë në dritë të errëtat e të shkuarës e vendit tonë. Kryeministri Edi Rama tha se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të njihen me infrastrukturën sekrete që përdorej në kohën e regjimit komunist, dhe lëvizja e radhës do të jetë hapja për publikun e tuneleve të nëndheshme që ndodhen në Tiranë, për të bërë të mundur kështu, që të gjithë qytetarët të shohin me sy infrastrukturën fizike dhe psikologjike të diktaturës komuniste shqiptare.

Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pa zbuluar dhe ne do ta zbulojmë, të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete. Projekti do të finalizohet si një muze i vrimave të së shkuarës që janë vrimat përmes të cilave mund të penetrohet në infrastrukturën fizike, por edhe psikologjike të vetëdijes sonë që do të përbëjnë një hartë të mirëfilltë muzeale duke nisur nga qendra e Tiranës, e në zona të caktuara të nëndheut të Tiranës për të prekur pikën tjetër të Pallatit Anti-atomik të regjimit dhe për t’u shtrirë në formën e një rrjete merimange, duke u kthyer në një labirinth ku gjeneratat e reja mund të njihen me infrastrukturën fizike dhe psikologjike të të shkuarës, ku njerëzit e interesuar për të njohur se nga vijmë mund të prekin nga afër atë që ka qenë një nga pamjet më të errëta të mistershme dhe të çuditshme të regjimit”, u shpreh Rama.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha