GJEVGJELI (Maqedoni), 19 shtator /ATSH-AA/ - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Mitko Çavkov, komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Goranço Savovski, mëngjesin e sotëm vizituan qendrën për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli.
Komisioneri Hahn duke theksuar se ndjehet i kënaqur me mënyrën e trajtimit të krizës së refugjatëve nga Maqedonia, shtoi se është i informuar se numri i refugjatëve që hyjnë në Maqedoni, për një ditë arrin mesatarisht në 6 000.
"Jam i impresionuar nga mënyra e trajtimit të krizës së refugjatëve nga ky vend. Dua të shpreh mirënjohjen time për autoritetet e këtij vendi mbi trajtimin e kësaj sfide", theksoi komisioneri Hahn.
Hahn po ashtu theksoi se Bashkimi Evropian është i interesuar të ndihmojë Maqedoninë për ballafaqimin e krizës dhe se kjo është koha e duhur për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj krize, ndërsa njoftoi se nga dita e hënë do të vijnë një grup ekspertësh nga Komisioni Evropian, të cilët do të takohen me ekspertët nga Maqedonia dhe bashkërisht do të bëjnë një vlerësim mbi nevojat për t'u ballafaquar me situatën.
"Mendoj se është koha e duhur për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate, dhe nga ana tjetër, neve, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për t'i forcuar kufijtë tanë të jashtëm. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për vendet e tjera të rajonit për t'u ballafaquar me këtë situatë", deklaroi Hahn.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Çavkov ka thënë se vetë akti i vizitës së eurokomisionerit Hahn, në qendrën e pranimit të refugjatëve është mbështetje dhe mirënjohje për autoritetet e Maqedonisë për të gjitha përpjekjet që po ndërmerr për t'u ballafaquar me krizën e refugjatëve.
"E drejtë legjitime e secilit shtet është që në nivel kombëtar të ndërmarrë masa dhe aktivitete për mbrojtjen e kufirit kombëtar. Sigurisht ka shqetësime tek mbyllja e kufijve në veri, reduktim ose ngadalësim të lëvizjes së refugjatëve, por unë jam i bindur se këto procese nuk do të ndalen. Duhet patjetër të gjendet zgjidhje evropiane për këtë problem", deklaroi Çavkov.
Në bisedat me përfaqësuesit e UNHCR-së, Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera, eurokomisioneri Hahn është informuar për gjendjen në qendrën e pranimit dhe në vendkalimin kufitar në kufirin jugor të Maqedonisë, ku për momentin gjithçka është nën kontroll dhe pa probleme gjatë kalimit të kufirit.
Përfaqësues i UNHCR-së për Maqedoninë, Muhammad Arif theksoi se zyrtarë të lartë, të shoqëruar edhe nga eurokomisioneri Hahn, kanë vizituar qendrën e pritjes për të hetuar gjendjen dhe për të shqyrtuar mundësitë sesi vendi me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare të ballafaqohet me këtë krizë./ a.jor.


