TIRANE- Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika që është marrë i pandehur nga prokuroria për falsifikimin e dy lejeve ndërtimore, manipulon dhe kontrollon dëshmitarët e akuzës që thirren për të dëshmuar në procesin gjyqësor kundër tij. Anila Çukani, Drejtoresha Juridike e Bashkisë së Vlorës, vartësja e të pandehurit Shpëtim Gjika, hyn nga salla e gjyqit në një komunikim me IPAD me Gjikën, ku e informon këtë të fundit rreth procesit të dhënies së dëshmisë së saj, si e kishin pyetur, dhe nga kush prej palëve në proces ishte pyetur. Në komunikim e sipër Gjika i drejtohet vartëses së tij “…ja e hoqe qafe…” dhe që më pas Anila Çukani, i përgjigjet me buzëqeshje “…Por ty s’po të heq qafe….”. E gjithë biseda është filmuar nga kameramani i televizionit “A1 Report”, gjë e cila tregon influencën e Gjikës, mbi dëshmitarët e prokurorisë së Vlorës. Në pak fjalë që tha para gjykatës së Tiranës, Anila Çukani mbrojti pozicionin e kryebashkiakut Gjika.

Interesimi
Ndryshe nga sa deklaroi para fillimit të gjyqit se nuk do të mungonte në asnjë seancë gjyqësore, prej më shumë se 5 seancash me radhë kryebashkiaku Shpëtim Gjika ka refuzuar të paraqitet para togave të zeza. Vazhdimisht ai e ka ndjekur gjyqin kundër tij dhe të pandehurve të tjerë në korrespodencë, duke ja lënë në dorë gjithçka avokatit Ardian Leka. Në seancën e djeshme, ku Gjika komunikon nëpërmjet numrit 0682000510 që sipas verifikimeve të “A1 Report” rezulton në përdorim të Gjikës, tregohet qartë interesimi i tij dhe influenca e dëshmitarëve, për të deklaruar në gjyq në favor të tij.

Dëshmitë
Drejtoresha juridike deklaroi para trupës gjykuese se asnjë leje nuk ka kaluar pa miratimin e Këshillit Teknik. “Jam drejtoreshë juridike pranë Bashkisë së Vlorës që nga muaji prill i vitit 2010 deri tani. Detyra ime në Bashkinë e Vlorës më bën edhe anëtare të KRRT të këtij qyteti. Jap vetëm mendimin tim në lidhje me problemet juridike, që lindin gjatë mbledhjeve të KRRT-së. Nuk ka pasur ndonjëherë raste, kur janë miratuar leje ndërtimi pa miratimin e anëtarëve të KRRT-së”, mësohet të ketë dëshmuar Anila Çukani. Nga ana tjetër anëtari i KRRT-së Vlorë, Ardian Nusta, pranoi se ka qënë i pranishëm në shqyrtimin e dosjes së Gëzim Fetës, ndërsa shton se ka votuar pro lejes për ndërtimin në truallin e tij.

“Dosja e Gëzim Fetës, pronarit të truallit nuk ka pasur probleme, në parim kam qenë dakord. Edhe për dosjen e miratimit të sheshit të ndërtimit në pronësi të Mustafa Tartarit kam qenë pro. Nuk e kam marrë ndonjëherë parasysh, nëse materiali nuk ka kaluar në Këshillin Teknik. Çdo propozim i anëtarëve të KRRT shqyrtohet automatikisht, s’ka nevojë të kalojë në Këshillin Teknik. Leja e ndërtimit në zonën e “Tre rracave” është sipas ligjit, nuk cënohet zona e gjelbër prej 1270 m2” tha ai.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)