TIRANE 25 Qershor/ATSH/- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri priti të mërkurën në takim një grup investitorësh nga Kazakistani, të cilët janë pjesë e delegacionit të nivelit të lartë që po viziton Shqipërinë, me ftesë të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë ishin të pranishëm drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha në fushën e energjisë dhe investimeve në Kazakistan, si SamrukEnergo e KazMunaiGas.
Ministri Gjiknuri paraqiti një panoramë të zhvillimeve në sektorin e hidrokarbureve dhe atë të energjisë. Z.Gjiknuri deklaroi se gjatë muajve të fundit ka patur zbulime të reja në zonën e Shpiragut nga Shell&Petromanas çka flet për potencialin e lartë që ka vendi në drejtim të rezervave në naftë.
Investitorët kërkuan të njihen me potencialin e fushave të kërkimit të naftës ashtu sikurse me përspektivën që ka qeveria shqiptare në raport me kompaninë e naftës Albpetrol. Ministri Gjiknuri tha se qeveria po shqyrton opsionet që mund të ndiqen në raport me përspektivën e Albpetrolit ndërsa i informoi investitorët për interesin në rritje për blloqet e lira të kërkimit të naftës dhe rregullat që po hartohen për dhënien e tyre për kërkim. Sakaq, investitorët u interesuan edhe për zhvillimet në energjitikë ku konkretisht diskutimet u ndalën tek projektet e mëdha si hidrocentralit i Skavicës.
Ministri Gjiknuri shprehu interesin e tij që investitorët nga Kazakistani të shikojnë mundësinë e angazhimit në ndërtimin e TEC-it të përbashkët me Kosovën i cili do të përbënte një investim të rëndësishëm për sistemin energjitik në të dyja vendet./a.gjonaj/./a.g/