Shkollat e mesme jo në pak raste janë kthyer në një arenë të vërtetë gladiatorësh mes të rinjve. Dhe kjo jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin. Madje nuk kanë munguar as rastet fatale për jetën e gjimnazistëve të përfshirë në këto përleshje mes njëri-tjetrit, por kjo nuk i pengon të rinjtë të vënë në lojë jetën e tyre. Dhe fillesa e sherreve është gjithmonë për arsye të rëndomta. Rastet më të shpeshta të dhunës kanë si protagonistë kryesorë djemtë, por nuk kanë munguar as rastet kur në sherre janë përfshirë edhe vajzat.

MJETET E DHUNES
Pavarësisht fillesës së sherrit, gjithnjë e më shumë të rinj po bëhen pre e dhunës qoftë fizike, por edhe psikologjike. Gjithnjë e më shumë "grupe të fortësh' nëpër shkollat e mesme janë krijuar si një profil i veçantë dhe dallueshëm jo vetëm për nxënësit e shkollave që mundohen t'u shmangen, por edhe nga vetë stafet pedagogjike, që në pamundësi për të reaguar ndaj veprimeve të tyre, mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nuk kanë parë gjë. Këta të rinj vënë përpara këdo që e gjejnë pak të "urtë" ose pa mbështetje. Mjetet e dhunës që përdorin të rinjtë, fillojnë që nga dorezat e hekurit, të cilët ata i mbajnë me vete për çdo rast, kaçavidat e deri tek thikat, shkopinjtë e bejsbollit e madje nuk kanë munguar as plagosjet me armë zjarri. Ndërkohë që gjithmonë e më shumë një fenomen i ri i quajtur "buylling", i cili ka në qendër një "viktimë" që vihet në lojë nga dhunuesit e tij. Vetë drejtuesit e shkollave, por edhe të dikasterit të arsimit, deklarojnë se rastet e dhunës janë sporadike dhe nuk përbëjnë një fenomen. Megjithatë ata herë pas here kanë kërkuar prezencën e uniformave blu për të shmangur ose minimizuar rastet e dhunës. E megjithatë as kjo metodë nuk ka dhënë efektin e duhur. Të ndodhur përballë kësaj situate, shkollat e Tiranës kanë vendosur edhe kamera survejimi në oborret e shkollave apo edhe në korridoret e brendshme të tyre për të shmangur zënkat midis gjimnazistëve, por ata tashmë i kanë zhvendosur sherret e tyre, jashtë oborrit të shkollës, ose në ndonjë cep ku nuk i kap kamera e survejimit.

RASTET
Nga përplasja mes të rinjve nuk kanë munguar as viktimat. I tillë është rasti i 17-vjeçarit nga Peshkopia Krenar Bardulla, gjimnazist i vitit të dytë te "Nazmi Rushiti", i cili mbeti i vrarë pas një sherri me thika gjatë pushimit të gjatë mes shokëve të një klase. Një tjetër rast i rëndë është edhe i adoleshentit Denis Dollapi, i cili mbeti i plagosur me 11 thika në trup në prill të 2010-ës, pas një sherri mes grupeve që mbështesin Noizin dhe Stresin, i cili edhe sot e kësaj ditë vazhdon të jetë në gjendje kome. Megjithatë kjo nuk i ka stepur të rinjtë që të vënë në rrezik jetën e tyre, vetëm "pse më pe ashtu", apo "përse komentove kështu në facebook". Drejtoria arsimore këtë vit shkollor ka blinduar gjimnazet me uniforma blu për të shmangur çdo incident të mundshëm, por është e pamundur që të rinjtë të mbahen nën kontroll.

STUDIMI

Në shkollë mund të shkosh edhe i armatosur. Të paktën kështu kanë deklaruar 20% e gjimnazistëve meshkuj, gjatë një studimi që Instituti i Shëndetit Publik ka bërë në vitin 2006. Po sipas të njëjtit studim, që ISHP ka ndërmarrë për të evidentuar sjelljet e riskut të të rinjve të grupmoshës 15-19 vjeç, 16 % e të anketuarve (meshkuj dhe femra) pohojnë se të paktën një ditë kanë munguar në shkollë sepse ndihen të pasigurtë. Ndërsa 7 % e tyre kanë deklaraur se e kanë menduar seriozisht së paku një herë, që t'i japin fund jetës së tyre duke bërë vetëvrasje, prej të cilëve, 11 % e tyre ishin femra që banonin në Tiranë. Studimi i Intitutit të Shëndetit Publik ka monitoruar edhe probleme të tjera tek kjo grupmoshë, siç janë konsumimi i duhanit dhe pijeve alkoolike, çështje të obezitetit (mbipeshës) si dhe pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete të ndryshme sportive. Në studim janë përfshirë rreth 4 mijë të rinj, nga 12 qarqet e vendit, por vetëm 90 % e tyre (3619) kanë pranuar t'u përgjigjen pyetjeve.
(Foto: Denis Dollapi, adoleshenti që mbeti i plagosur në 2010 pas një sherri për Noizin dhe Stresin, i cili është ende në gjendje kome)


Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)