Në Gjirin e Omanit, dy anije naftëmbajtëse janë përfshirë nga zjarri, ndërsa flota e pestë e Marinës së SHBA ka asistuar ekuipazhet. Dinamika e asaj që ndodhi nuk është ende e qartë. Hipoteza e një sulmi të mundshëm qëndron pezull.
Dy tankerat me naftë në kohën e shpërthimit ndodheshin në zonën e Gjirit, jashtë brigjeve të Omanit. Fillimisht u fol për një sulm, pastaj mediat zyrtare iraniane deklaruan se ishte një aksident.
Flota e pestë e Marinës së SHBA-ve e ka bërë të ditur se ka ndihmuar tankerët e naftës, duke shpëtuar 44 anëtarët e ekuipazhit.
Aktualisht dinamika e aksidentit nuk është e qartë. Flota e pestë e Marinës së Shteteve të Bashkuara me bazë në Bahrein i raportoi mediave ndërkombëtare se kishte marrë dy thirrje për ndihmë.
Pas sulmit të dyshuar, çmimet e naftës në bursë u rritën me 4 për qind.
Zona e shpërthimit ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, një portë e rëndësishme për terminalet e naftës së vendeve të Gjirit dhe Iranit.
Incidenti vjen një muaj pas sabotimit të katër tankerëve të naftës në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, gjë e cila shtoi më tej tensionet në rajon.
Emiratet e Bashkuara Arabe i raportuan anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se sulmet ndaj katër çisterna nafte mbajnë shenjat e një "operacioni të sofistikuar dhe të koordinuar", me gjasë nga një aktor shtetëror./Përgatiti Ilir Çuçi
Komente










