Demokratët gjirokastritë, kanë reaguar ndaj indiferencës së Bashkisë së Gjirokastrës, rreth rrugëve të shkatërruara që ka ky qytet në brendesi dhe jashtë tij. Për gati 5 minuta, automjetet me simpatizantët e PD, kanë bllokuar arterien kryesore që lidh Gjirokastrën me aksin nacional Gjirokastër-Kakavije duke paralajmëruar përshkallëzimin e tyre nëse Bashkia apo dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, nuk do të ndërhyjnë, për të përmirësuar zonën në fjalë e cila i përngjan më tepër një situate lufte me rrugë të dëmtuara dhe aspak të rehabilituara nga ana e pushtetit vendor. 

Në krye të aksionit opozitar, kanë qenë të rinjtë e FRPD si dhe kreu i PD për Gjirokastrën, Roland Bejko. Ky i fundit ka apeluar tek autoritetet më të larta shtetërore qëndrore dhe lokale, që të ndërhyjnë me urgjencë në rregullimin e situatës pasi në të kundërt, reagimi do të jetë më ekstrem.

Mjaft herë dega lokale e PD në Gjirokastër, është bërë protagoniste e sensibilizimit të problemeve që shqetësojnë komunitetin në qytet si uji i pijshëm, infrastruktura rrugore, pyjet, kullotat si dhe subvencionimet në bujqësi që janë dhënë sipas preferencave politike të LSI. 

Redaksia online
(S.m/.shqiptarja.com)