GJIROKASTËR- Gjirokastra ka një sërë tunelesh nëntokësorë apo poshtë rrënjëve të kodrave apo dhe maleve që shtrihen në perëndim apo dhe lindje të luginës së Drinos. Por i veçantë dhe i konstruktuar me teknologjinë më të avancuar të asaj kohe, është tuneli që gjendet pas godinës së bashkisë së qytetit.
 
Punimet në ndërtimin e vendstrehimit në fjalë, nisën në vitet ’70 kur frika nga ndonjë agresion i huaj ushtarak, ishte shndërruar në një obsesion për udhëheqjen komuniste të kohës. Për këtë, u projektua ndërtimi i këtij vendstrehimi i cili është i veçantë në llojin e vet. Kjo pasi ka lidhje kapilare me godinën e ish- udhëheqjes komuniste, ndërtesa e të cilës është sot bashkia dhe komitetit ekzekutiv që sot është godina e Këshillit të Qarkut.
 
Largësia mes dy godinave shkon më shumë se 300 metra dhe është shtruar tërësisht, poshtë objekteve muzeale të Pazarit Karakteristik. Në atë periudhë, janë përdorur materialet më të mira të ndërtimit duke siguruar kësisoj, mos ekspozimin nga faktorët e jashtëm natyror. Është dashur plot pesë vjet punë për ndërtimin e këtij vendstrehimi duke punuar 16 orë pa pushim. Të burgosurit politik kanë qenë krahu i parë i punës ndërkohë që thuhet se dy prej tyre, kanë ngelur invalidë për shkak të punës së rëndë që kryenin.
 
Tuneli u mor vesh se ekzistonte në mars të vitit 1991 por publiku pati mundësi ta shikonte pesë vjet më parë dhe kjo, falë një projekti rehabilitues që ndërmori bashkia, për pastrimin e ambienteve të brendshme dhe ndriçimit të saj.
 
Në të gjithë gjatësinë e vet tuneli karakterizohet nga labirinte që nëse nuk ke kujtesë të fortë, mund edhe të ngatërrohesh por për orientim mund të të shërbejë ndriçimi.
 
Në brendësi të tunelit ekzistojnë 50 zyra që mund të jenë të përdorshme dhe gati 20 të tjera, që kërkojnë rehabilitim të plotë. Në këto të parat bie në sy vendstacionimi i kryetarit të partisë, sekretarit të rrethit, shefit të propagandës, atij ushtarak etj.
 
Të gjitha zyrat kanë qenë të pajisura me sistem ventilimi dhe kondicioner unik. Nga provat e kryera në atë periudhë, vendstrehimi, i bënte ballë një sulmi nuklear, kimik apo dhe balistik. Kapaciteti total i akomodimit, në projekt i cili nuk ekziston më shkon deri në 1 mijë persona duke përllogaritur këtu, udhëheqjen lokale komuniste atë ushtarake dhe forcat e sigurimit.
 
Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime ka një ide konkrete për kthimin e këtij tuneli në një vend pelegrinazhi për vizitorët e huaj apo vendas. Sipas tij, rikthimi në jetë i tunelit për qëllime turistike, ka paraqitur interes për donatorë të ndryshëm të cilët kërkojnë të investojnë.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)