Dy këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, kanë ndërruar kamp politik, duke kaluar në radhët e socialistëve.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak nga radhët e LSI Adrian Hyskaj, ka braktisur partinë që drejtohet nga Monika Kryemadhi dhe i është bashkuar grupit të këshilltarëve të PS-së.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me këshilltarin tjetër nga radhët e PDIU-së Selaudin Mosho, i cili i është bashkuar PS-së.

Një gjë e tillë u verifikua sot në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, ku ndryshimi i ngjyrave politike u prit me entuziazëm nga socialistët e tjerë në këshill.

Ndonëse lëvizjet e fundit kanë pasur për qëllim forcimin e cunguar të pozitës së socialstëve në parlamentin vendor, sërish PS me aleatët e vetë, ngelen pakicë, pasi raportet flasin për 17 këshilltarë nga radhët e opozitës PD+LSI dhe 14 këshilltarë nga PS plus aleatë, çka përkthehet ndryshe se PD dhe LSI përbëjnë shumicën, edhe pas transfertës të dy keshilltareve.

s.k/Shqiptarja.com