Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Këlcyrë, ku një 30-vjeçare është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj, pas një konflikti familjar. Shkak është bërë vendimi i saj për t’u divorcuar nga bashkëshorti.

Sipas njoftimit të policisë, kërkesa e gruas për t’i dhënë fund martesës nuk është pranuar nga familjarët, duke çuar në debate të ashpra dhe përshkallëzim të dhunës. Ata dyshohet se e kanë marrë me forcë me automjet dhe e kanë dërguar në banesën e xhaxhait të saj, ku më pas dyshohet se ajo është dhunuar fizikisht.

Mësohet se 30-vjeçarja ka vendosur të largohet nga bashkëshorti, duke marrë vajzën dhe duke lënë djalin me të. Arsye e largimit është lidhja e saj me një burrë tjetër por që ka hasur jo vetëm në kundërshtinë e të shoqit por dhe të familjes së saj prindërore.

30-vjeçarja kishte paralajmëruar më parë familjarët dhe bashkëshortin se bashkëjetesa nuk kishte më kuptim dhe do të largohej, por përpjekjet e familjarëve për të penguar largimin e saj kanë çuar në dhunë fizike.

Sipas informacioneve, kjo nuk është hera e parë që gruaja përballet me këtë skemë dhune; disa muaj më parë familjarët e saj e kishin marrë me forcë por atëherë nuk e kishte denoncuar.

Policia njofton se hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të vëllait të saj, xhaxhait dhe dy personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. A., 34 vjeç, S. A., 53 vjeç dhe E. M., 51 vjeç, të tre banues në Tiranë, si dhe për shtetasin L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se si pasojë e një konflikti në familje, shtetasit A. A., S. A. dhe E. M. kanë marrë me forcë, në automjet, motrën e 34-vjeçarit, njëkohësisht mbesë e 53-vjeçarit. Më tej, dyshohet se 30-vjeçarja është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj, në banesën e këtij të fundit. Gjithashtu, dyshohet se 43-vjeçari ka patur dijeni për rastin, dhe nuk ka kallëzuar në polici”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.