GJIROKASTËR - Kryetari i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë edhe në 23-vjetorin e themelimit të degës së PD në Gjirokastër.

Ky ka qenë takimi i tretë brenda një dite kreut të PD, pas atij me grupin e PD në Tiranë dhe takimit me ambasadorin e BE, Ettore Sequi dhe ambasadorin grek, Leonidhas Rokanas.

Siç informon nga Gjirokastra korrespondenti i 'A1 Report' Piro Nase, Basha në takimin me simpatizantë në Gjirokastër ka qenë mjaft i ashpër ndaj qeverisë, të cilën e bëri përgjegjëse për dështimin në vendosjen e rendit dhe sigurisë publike.

Për Bashën, "kjo është e vetmja qeveri në botë dhe Europë, e cila në fund të katër muajve qeverisje nuk është në gjendje të thotë se cfarë ka bërë, por vetëm cfarë ka zhbërë".

BASHA: PAS 4 MUAJVE KËSAJ QEVERIE I VJEN ERA BAROT
"Pas katër muajve kësaj qeverie i vjen era barot. Baroti antikushtetues me të cilën zhbëri konsensusin me nëpunësin civil tashmë i ka plasur në dorë. Me mijëra e mijëra nëpunës të administratës pubike njerëz të ndershëm dhe këtu nuk e kam fjalën as për emërime politike dhe as për ata që nuk e meritojnë për shkak të paaftësisë, por e kam për ata mijëra e mijëra burra gra e të rinje të reja që janë fryt domethënës i investimit disavjecar të taksapaguesve shqiptarë evropianë e amrikanë që përbëjnë palcën e mirëfunksionimit të cdo vendi. I kanë larguar në mënyrë arbitrare nga puna dhe pa asnjë akt ligjor të vlefshëm dhe sot nuk i kthejnë në detyrë. PD do t’i qëndrojë në krahë gjithësecilit që përballet me presionet dhe revanshin dhe egërsinë barbare antiligjore të qeverisë Rama", u shpreh Basha.

BASHA: PA KONSENSUSIN E NËPUNËSIT ASNJË KONSENSUS MË ME KËTË MAZHORANCË
"Pa rivendosjen e konsensusit të shkelmuar mbrëmjen e 30 shtatorit jo vetëm parametrat ligjorë por edhe individual, nuk ka dhe nuk do ketë konsensus për asnjë cështje tjetër me këtë maxhorancë. Ne i kemi dhënë kësaj qeverie një PO pa kushte për integrimin e vendit. Jua bëmë gati si qeveri organizuam zgjedhjet dhe nuk e morën statusin. Statusin nuk e morën dhe për këtë fajësojnë  ekstremistët evropianë, zakon i vjetër, kulturë e vjetër dhe mendësi e vjetër. Është hera e parë që kryeministrat kryesorë të BE dhe përfaqësues të institucioneve evropiane ua thanë me zë të lartë që të shikonin brenda vetes së tyre. Afati është për ta. PD bëri gjithcka. E vetmja që duhet të bindë është qeveria. A po bind qeveria? Rendi dhe siguria në gjendjen e tyre më të zezë. Vdekje në aksident rrugor në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, si dhe tritoli ndaj kryekomunarit të Vlorës. Dhe kjo brenda një ore kur ministri i Brendshëm bënte analizën", tha Basha në fjalën e tij.

BASHA: PASIGURI, RRITJE E NUMRIT TË VRASJEVE, PREJ MILITANTËVE
"Ky është bilanci i vërtetë  i rendit dhe sigurisë në vend dhe është efekti direkt i dekapitimit të Policisë së Shtetit dhe zëvendësimi i profesionistëve me militantë partiakë të paaftë dhe të vendosur kundër ligjit. Pasiguri, rritje e numrit të vrasjeve, pasiguri për pronën, ulje drastike e eficensës dhe një polici si bashkëfajtore në nxitjen dhe ristimulimin e trafiqeve ilegale. Këto janë realitete. Ministri vazhdon të krekoset në televizione dhe kryeministri vazhdon t’i bëjë temena ministrit të tij dhe dështimeve të njëpasnjëshme që mendon se mund t’i mbolojë vetëm me propagandë", theksoi Basha.

BASHA: RAMA U BËRI BRAKTISJE SOLEMNE PREMTIMEVE
"A premtuan këta se me ardhjen në pushtet nuk do kishte lista, do hapeshin vende pune etj? Sa janë ulur cmimet? Sa janë realizuar nga këto? A thanë se do të kishte shëndetësi falas? A premtoi legalizime falas? Dëngla nga mëngjesi në darkë, asgjë të prekshme për shqiptarët. Nuk themi gjithcka duhet të ishte bërë brenda katër muajve, por ajo që dënojmë dhe do dënojmë gjithë ditën, është braktisja solemne që ky kryeministër i ka bërë premtimeve me të cilat erdhi në pushtet. Situata është jashtëzakonisht serioze, është e rëndë, është dramatike, jo vetëm për demokratët, por për qytetarët shqiptarë anembanë Shqipërisë", analizoi Basha. Sipas tij, "në Shqipëri ndjehet një frymë revolte dhe ska sesi të jetë ndryshe sepse qytetarët nuk janë dele. Mashtrimi dhe gënjeshtra, janë të ndëshkueshme. Ne ndëshkojmë tek fëmijët tanë. Ne nuk e pranojmë tek shokët, nuk e tolerojmë dhe përse duhet ta tolerojmë këtë qeverisë, aq më shumë kur mashtrimi me të cilën kanë ardhur në pushtet, është edhe thembra e Akilit. Shkaku kryesor që Shqipëria zhytet ditë e përditë më thellë në krizën e statusit alla Rama, në pasigurinë dhe dështimin e rendit dhe sigurisë alla Tahiri, dhe mashtrimet më galopante dhe propagandën më të shfrenuar të maxhorancës Rama-Meta".

BASHA: SHQIPTARËT PO KTHEJNË SYTË E SHPRESËS NGA NE
Procesi i hapjes dhe bashkimit të PD kurrë nuk ka qenë më i rëndësishëm, pasi shqiptarët po kthejnë sytë e shpresës nga ajo forcë politike përgjegjëse e cila është PD. Një qeverie të refuzuar nga Gjykata Kushtetuese nga BE,të vënë në pikpyetje të madhe nga aleati ynë strategjik, të refuzuar nga rinia para zyrës së tij, tashmë PD duhet t’i vëjë përballë jo vetëm opozitën e protestës, por edhe opozitën e alternativës, ndaj nga Gjirokastra e mencur dhe e burrave dhe e grave të mencurisë dhe vendosmërisë, duhet të nisim përgatitjen tonë për tu rikthyer më kurrë si më parë për të evidentuar më të ndershmit për të udhëhequr betejat tona lokale e kombëtare.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)