Një 44 vjeçar është arrestuar në fshatin Zhulat të Gjirokastrës, pasi në gjendje të dehur ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij dhe e kanosi atë me armë gjahu.

Ngjarja ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, në fshatin Zhulat pranë Njësisë Administrative Cepo, në Gjirokastër dhe ka qenë vetë e moshuara që ka telefonuar policinë për të kallëzuar djalin e saj.

Burime nga grupi hetimor, konfirmojnë se ndërhyrja në kohë e punonjësve të policisë, ka bërë të mundur shmangien e një tragjedie njësoj si ajo e 1 qershorit të këtij viti, ku një i ri i sapo diplomuar në SHBA, mbyti të ëmën e vet në qytetin e Përmetit.

Ylber Pulaj, kishte pak javë që kishte dalë nga qelia e burgut, ku kishte vuajtur dënimin për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën tashmë është divorcuar.

Fill pas daljes nga burgu, Ylberi endej sa në Zhulat e sa në Gjirokastër, i pashpresë për të ndërtuar një jetë të re pas divorcit me bashkëshorten.

Familjarët e tij thonë për Report TV, se kohët e fundit e kishte tepruar me pijen dhe shpeshherë konfliktohej edhe me banorë të fshatit. Shumë herë për këtë sjellje, e kishte kritikuar edhe e ëma, e cila në formë kërcënimi, në disa raste i thoshte se do të thërriste policinë.

Një natë më parë Ylberi ishte tejet i alkoolizuar, aq sa në debat e sipër e kërcënoi të ëmën për të vrarë.

Kjo e fundit kërkoi ndihmën e fqinjëve, pasi Ylberi me armën e gjahut në dorë të cilën kishte harruar ta mbushte me saçme, rendte dhomë më dhomë e në oborr për të gjetur të ëmën për ta qëlluar për vdekje.

Pasi është njoftuar për ngjarjen, policia ka mbërritur në banesën e Ylberit dhe ka arrestuar këtë të fundit.