TIRANË, 22 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ - Policia e Shtetit bëri të ditur sot detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër kur një grua 62 vjeçare goditi për vdekje me thikë burrin e saj 66 vjeçar.
Sipas Policisë, Dituri Meni 62 vjeç, banuese në Lagjen "18 Shtatori" Gjirokastër është arrestuar sot në flagrancë nga ana e Specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Arrestimi i saj u bë pasi, të shtunën, rreth orën 21.00, në lagjen "18 Shtatori" të qytetit Gjirokastër, në banesën e saj, kjo shtetase, në konflikt e sipër dyshohet se ka goditur me thikë në gjoks, bashkëshortin e saj shtetasin Flamur Meni, 66 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.
Grupi hetimor dhe eksperti mjeko-ligjor kanë kryer gjatë natës veprimet paraprake, ku në ndihmë të ekspertit mjeko- ligjor, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme ka mbërritur një grup ekspertësh të Mjeksisë ligjore nga Tirana, ku nga kqyrja që iu bë kufomës rezultoi se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e goditjes me thikë në zemër( 6 cm).
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vrasjes në familje ".
/f.n/












