GJIROKASTER - Mbërrijnë emigrantët e parë të organizuar për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese në zgjedhjet e 23 qershorit. Mbi pesë autobuzë me emigrantë, kanë kaluar përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijes, në orët e para të së enjtes duke shënuar kështu, fillimin e një procesi organizativ të vetë emigrantëve, për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të së dielës. Emigrantët kanë shprehur haptazi preferencën e tyre politike dhe zgjedhjen për kë subject politik, do të votojnë të dielën. Madje në shumicë, ata janë të bindur për një rotacion politik dhe fitore të PS me Edi Ramën kryeministër.

Më parë pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijes, ishte instaluar cadra e të rinjve socialistë të cilët pajisin cdo emigrant që hyn në tokën shqiptare, me postera të PS dhe programin e PS për emigrantët dhe rininë. Gjithcka ka qenë mëse e organizuar, nga shtabi i të rinjve i kandidatit socialist për deputet në Qarkun e Gjirokastrës Erjon Veliaj i cili gëzon edhe postin e sekretarit për cështje të emigracionit dhe rinisë. Intensiteti i lëvizjes së emigrantëve, parashikohet të forcohet në ditët pasuese e sidomos një ditë para zgjedhjeve, ku opritet një prezencë masive e tyre jo vetëm në Kakavije, por edhe në dy pikat e tjera kufitare të Qarkut të Gjirokastrës. Sipas autoriteteve policore kufitare, prej të hënës e deri ditën e enjte, në të tre nyjet kufitare atë të Kakavijes, Tri Urave dhe Sopikut të përqëndruara në territorin e Qarkut të Gjirokastrës, kanë ardhur në Shqipëri, mbi 12 mijë emigrantë shqiptarë rreth 30% më tepër se periudha e zakonshme.   

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)