Pa vaksinë dhe test negativ, 4 zyrtarë në Gjirokastër s’lejohen të hyjnë në zyrë! Në Vlorë, 10% e administratës e pavaksinuar! Ministria e Shëndetësisë: 80 % e administratës publike, e vaksinuar

Katër punonjës në administratën publike në Gjirokastër nuk janë lejuar të futen sot në zyrat e tyre nga Inspektorati Shëndetësor, për shkak se nuk dispononin certifikatën e vaksinimit apo testin e PCR. Kontrollet e Inspektoratit Shëndetësor kanë nisur që prej datës 4 janar, pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve se punonjësit e administratës dhe ata të supermarketeve e qendrave tregtare, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo test PCR.

Drejtuesi i Inspektoratit Shëndetësor Gjirokastër, Edi Sinojmeri tha për Report Tv se punonjësit që nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit apo test PCR, nuk do të lejohen të futen  në zyrë. Ai theksoi se nga e hëna e javës që vjen do të kryhen inspektime dhe do të merren masa administrative përkatëse për personat që nuk dorëzojnë dokumentacionet përkatëse e po ashtu edhe pe institucionet që nuk i raportojnë.

"Gjatë muajit dhjetor kemi bashkëpunuar me drejtuesit e institucioneve publike për t'i këshilluar dhe për t'i vënë në dijeni me urdhrin për pajisjen me certifikatë vaksinimi, test PCR apo dëshmi që kanë kaluar virusin në 6 muajt e fundit. Do marrim masa dhe nuk do lejojmë punonjësit të paraqiten në zyrën e punës pa certifikatë vaksinimi apo test PCR. Nga dje kemi verifikuar 4 punonjës që nuk janë lejuar të hyjnë, në administratën publike. Të hënën fillojmë me inspektim për të marrë masat administrative përkatëse kundrejt punonjësit dhe institucionit që nuk ka paraqitur dokumentacionin përkatës. Ne kemi lënë detyrë që nuk do lejohet të hyjnë në zyrat e institucionit", tha ai.

Sakaq, nga ISHSH në Vlorë bëhet me dje se ka përfunduar tashmë inspektimi në 55 institucione publike në të gjithë qarkun, ku 10% e administratës rezulton e pavaksinuar. Në Vlorë kanë nisur sot edhe inspektimet në qendrat tregtare. 

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ogerta Manastirliu tha se rreth 80% e punonjësve të administratës publike janë të vaksinuar ndaj COVID19.

Për të frenuar përhapjen e COVID, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosur vaksinimin me detyrim për punonjësit e administratës, punonjësit e supermarketeve dhe të qendrave tregtare. Në të kundërt ata duhet të paraqesin test PCR çdo 5 ditë, ose nuk do të lejohen të futen në zyrë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Ministria e Shëndetësisë: 80% e administratës e vaksinuar

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se nga inspektimet e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, deri tani rezulton se rreth 80% e punonjësve të administratës janë të vaksinuar ndaj COVID19.

“Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në kuadër edhe të vendimit të Komitetit që në datë 4 të gjithë punonjësit e administratës publike, të shërbimeve duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit, kartën e shërimit apo testin; ka bërë një verifikim në më shumë se 500 institucione shtetërore, deri më tani rreth 80% e punonjësve rezultojnë të vaksinuar. Ne do ta vazhdojmë këtë inspektim padyshim, me të gjithë institucionet e tjera. Ndërkohë që gjithashtu edhe në supermarket apo në qendra tregtare ka vijuar inspektimi nga strukturat tona të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe rezultojnë rreth 70% deri më sot, deri me këto inspektime të kryera dhe janë rreth 120 struktura supermarketesh apo qendrash tregtare dhe struktura shërbimesh në tërësi që janë inspektuar në këto ditë pas daljes së vendimit. ”, deklaroi Manastirliu, nga pika e vaksinimit në Stadiumin ‘Air Albania’.

Manastirliu nënvizoi se të gjithë strukturat spitalore janë në gatishmëri të plotë për çdo skenar që mund të krijohet nga rritja e rasteve të qytetarëve të infektuar me COVID19.

“Ajo çfarë po bëjmë, është që jemi tashmë në gadishmëri pasi rritja e numrit të rasteve sidomos në ditët e fundit ka vendosur në një gatishëmri të shtuar gjithashtu edhe spitalet tona. Aktualisht nuk kemi nje numër të shtuar të të shtruarve në spitale, por sigurisht kemi gjithë gatishmërinë në territor edhe në spitalet rajonale, por edhe në spitalet Covid 1, Covid 3 dhe Covid 4, të gatshëm nëse do të kemi një rritje të fluksit të rasteve me COVID”, tha Manastirilu.

Në total janë kryer 2,447,906 vaksinime antiCOVID nga të cilat 1,166,235 qytetarë kanë kryer të paktën një dozë të vaksinës ndaj COVID19.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë