GJIROKASTER- Partia Socialiste ka vijuar prezantimin e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit. Në fjalën e tij, kreu i PS, i është përgjigjur sulmeve të Berishës gjatë takimeve elektorale, të cilat i cilësoi si personale. Rama tha se “Berisha thotë se është njeri familjar, por e gjithë Shqipëria nuk mund të punojë për familjen e tij”.
 
“Në 23 qershor shqiptarët do të çlirohen nga pushteti i korrupsionit. Lodhja ja ka errur sytë, dhe gjithë ky lumë i madh njerëz në gjithë Shqipërinë për rilindjen, ia kanë errur edhe arsyen, dhe tani është vënë pas sulmeve personale. Thotë se është njeri familjar, e po pastaj. Shqipëria është familja jonë e madhe dhe nuk mund të punojë për familjen tende Sali”, tha Rama.

Kreu i PS i kërkoi kryeministrit të mos fshehë duart, pasi "në to janë të shkruara dramat dhe tragjeditë politike të këtyre viteve".

“Katragjyshi i sotëm dhe doktori i atëhershëm tregonte duart dhe thoshte ma jepni mua votën tuaj për këto duar të pastra që me këto duar të pastroj Shqipërinë nga korrupsioni, ma jepni mua mbështetjen tuaj se me këto duar ta mund papunësinë, dhe të udhëheq rrugën drejt një Shqipërie të re. Por pse nuk i tregon më duart. Pse nuk ua nxjerr duart përpara.. Sepse në ato duar janë të shkruara mëkatet, dramat dhe tragjeditë politike të gjithë këtyre viteve. Në vijat e atyre duarve janë rrugët e vjedhjes së votave, janë rrugët e grabitjes së pasurive nëntokësore dhe mbitokësore të vendit. Në vijat e atyre duarve janë rrugët e tragjedive të mëdha që bënë viktima të pafajshme. Në ato duar është rruga e gjakut të "21 Janarit", aty janë rrugët e kontrabandës dhe drogës që mbikëqyren nga shërbëtoret e oborrit të katragjyshit në policinë e shtetit”, tha Rama.

Duke i ftuar qytetarët të votojnë numrin 29 pa dallim bindje politike, Rama tha se “kush e do pushtetin në qafë dhe me ekonomin e rrënuar dhe në tokë, le të vazhdojë me katrat, ndërsa kush e do Shqipërinë në krah dhe ekonominë në këmbë e me mundësi për të jetuar të votojë PS. Prandaj, kujtoni 44 dhe votoni 29”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)