GJIROKASTER- Banesa ku është rritur Musine Kokalari, një prej figurave më intelektuale të shekullit të kaluar dhe disidentja që i bëri ballë rregjimit komunist qysh në fillimet e tij, po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë jo nga shteti, por nga vetë të afërmit e Musinesë.
 
Kjo për shkak të indiferencës së treguar nga ana e autoriteteve shtetërore të cilët për gati 20 vjet, nuk janë treguar aspak dashamirës, për mirëmbajtjen e saj, qoftë edhe me financime të pjesshme.
 
Prej disa javësh, të afërm dhe familjarë të mëvonshëm të Musines, kanë ofruar të holla, për ringritjen e banesës tri katëshe, e cila lartësohet në pjesën e sipërme të lagjes Palorto.
 
Një ide e hershme për të kthyer një aneks të banesës, në një muze tradicional familjar, duket se po merr jetë nga vetë familjarët e Musinesë.
 
Sot, banesa gëzon statusin e Monumentit të Kulturës i kategorisë së parë. Investimi në të, do të mundësojë rikonceptimin e banesës në një pamje krejt të ndryshme nga ajo çfarë ka qenë deri para disa viteve, por duke ruajtur elementët karakteristik identifikues origjinal të saj.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)