GJIROKASTER- Trupa e Cirkut Kombëtar solli në qytetin e gurtë një shfaqje festive plot ngjyra, humor dhe akrobaci, e cila u prit me entuziazëm nga publiku.
“Ne jemi gjithmonë të lumtur dhe të kënaqur që artin e cirkut ta transmetojmë kudo që shkojmë. Çdo qytet na mirëpret dhe sot jemi në Gjirokastër. Në këtë atmosferë festash nuk mund të mungonin artistët e cirkut për të dhuruar emocione për të gjithë publikun që ndodhet me ne këtu sot”, tha Gerald Shima, artist cirku.
E veçantë ishte edhe mbrëmja muzikore me artistë të ardhur nga Italia. Në skenën artistike në zonën muzeale, ata interpretuan pjesë operistike dhe muzikë nga filmat e njohur botërorë, duke krijuar një atmosferë magjike për artdashësit.
Sopranoja Barbara Luccini shprehet se “jam shumë e lumtur të jem këtu në Gjirokastër, në vizitën time të parë në Shqipëri. Kam ngelur e surprizuar nga bukuria e vendit tuaj. Është kënaqësi që shfaqim këtë koncert duke sjellë për publikun pjesë muzikore të pavdekshme nga kompozitorë si Ennio Morricone apo pjesë operistike. Artdashësit na pritën ngrohtë dhe na shoqëruan vazhdimisht me duartrokitje.”
Ndersa pianisti Aliano Fridani tha se “është kënaqësi të rikthehem për herë të tretë në Shqipëri. Jeni një popull që e doni kulturën, artin dhe emocionet që dhuron muzika. Koncerti i mbrëmjes së sotme i dedikohet Ennio Morricones dhe muzikës së filmave të tij. Dëshiroj të falënderoj publikun e Gjirokastrës për mikpritjen në këtë atmosferë të ngrohtë festash.”
Aktivitetet kulturore dhe artistike do të vijojnë përgjatë gjithë ditëve të festave të fundvitit, duke e kthyer Gjirokastrën në një destinacion tërheqës për turistët.
Komente











