50 parashutistë nga Italia kanë çelur sezonin turistik në aerodromin e Gjirokastrës.

Ata mbërriten me avionë të vegjël sportivë e më pas realizuan hedhje me parashutë, në lartësi 3 mijë metra duke dhuruar spektakël të vërtetë për të apasionuarit e sporteve të ajrit.

Aktiviteti vjen si bashkëpunim i “Skydive Albania” dhe Federatës Shqiptare të Aeronautikës duke qenë i pari në kalendarin e aktiviteteve për këtë vit në aerodromin turistiko-sportiv të Gjirokastrës.

“Është hera e tetë që vijmë këtu në Shqipëri, ndihemi mjaft mirë përpiqemi që këtu të zhvillojmë aktivitete disa herë në vit. Gjirokastra është një qytet i mrekullueshën dhe me potenciale për turizimin. Mendoj se edhe këtë vit do të mirëpresi shumë italianë sepse interesi për ta vizituar është i lartë”, thotë një parashutist.

“Është hera e tretë që marr pjesë në aktivitetet që zhvillojmë në aerodromin e Gjirokastrës. Është me të vërtetë bukur, pejsazh i mrekullueshëm, qyteti dhe kështjella kur i shikojmë nga qielli duken vërtet këndshëm, është një mundësi mjaft e mirë për turistët italianë”, vijon një tjetër.

“Gjithmonë është emocion të rikthehem në aktivitete të tilla këtu në Gjirokastër. Qyteti është fantastik, zbritja me parashutë të jep adrenalinë, gjithmonë do të jem i pranishëm në vendin tuaj”, shprehet një tjetër.

Organizimi i aktiviteteve ndërkombëtare për sportet e ajrit është kthyer në një traditë për Gjirokastrën dhe evente të tilla shërbejnë për promovimin e turizmit.