Kryetari i partisë Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, në një lidhje direkte në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ka komentuar lëvizjen e radhës të drejtësisë lidhur me zv.kryeministren Belinda Balluku. GJKKO i ka ndaluar ushtrimin e funksioneve publike dhe daljen jashtë shteti për shkak të hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe së fundmi dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4.

Arlind Qori thotë se Balluku duhet të japë menjëherë dorëheqjen, ndërsa thotë se vendimi i GJKKO është një hap përpara i drejtësisë pasi kemi të bëjmë një eksponent të lartë të qeverisë.

“Për mendimin tim është masa minimale që mund të merrej dhe pse kemi të bëjmë me një risi se Balluku është zv.kryeministre dhe ministër. Si të tjerët përpara saj, ajo duhej të ndiqej në mungesë lirie. Me një vendim gjykate, Balluku duhet të heqi dorë nga detyrat e saj.

Balluku është një ndër politikanët më të pushtetshme dhe më të korruptuara. E rëndësishme është që Balluku të mos ndikojë në hetim, tek dëshmitarët. Jemi një hap përpara, por ky vendim i GJKKO duhet të ketë pasoja politike. Përgjegjësia nuk mbaron tek Balluku, por përgjegjësia politike shkon deri tek Edi Rama.

Nëse GJKKO të pezullon, ti nuk je më në detyrë. Balluku është kartë e djegur politikisht. Uroj të behet bashkëpunëtore e drejtësisë dhe të tregojë gjithçka. Të tregojë çfarë i lidh këto skandale korruptive me Edi Ramën. Balluku nuk ekziston më politikisht”, tha Qori.


Lajmi kryesor:

Balluku u pezullua nga detyra/ ‘Mundësia’ protestë te Kryeministria! Bardhi: Fundi i saj, çelje kapitulli