TIRANË- Oficerë të Byrosë Kombëtare të hetimit të mbështetur edhe nga policia e shtetit kryen kontrolle në 7 banesa të ish gruas e bashkëjetueses aktuale të Arben Ahmetajt dhe familjarëve të tyre në Tiranë dhe Durrës. Bastisjet e kryera në kompeksin Nobis pranë Liqenit Artificial, në Selitë dhe në Durrës në zonën e Hamallajt, u kryen në zbatim të vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK. Gjyqtari Erion Bani ka firmosur urdhërat e kontrolleve në kuadër të hetimeve për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj i cili dyshohet për tri vepra penale, korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim e fshehje e pasurisë.

Burime të Report Tv thanë se se agjentët e Byrosë Kombëtare të hetimit, të ndihmuar nga Policia e Shtetit ushtuan kontrolle në banesën e Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha, si dhe familjarëve të saj në Gjirin e Lalëzit. Në Tiranë kontrollet u përqendruan në një kat të plotë pallati që Ahmetaj e kishte pasur me qira më parë pranë liqenit Artificial dhe tek dy apartamente ne zonën e Selitës. Ambienti i kontrolluar tek kompeksi Nobis, në hapësirë një kat, ishte e marrë me qera, por gjatë kontrollit, për shkak të mungesës së pronarëve, prezent ishin avokatët e ish-ministrit. Në shtatë kontrollet e kryera, SPAK tha se janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter laptop, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Jo më shumë se 5 minuta mësohet se ka zgjatur kontrolli mëngjesin e së martës në Hamallaj, në një banesë 3 katëshe në pronësi familjarëve të Hoxhës. Vetëm disa orë pasi SPAK mori dakordësinë e Kuvendit për të kërkuar arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollet në banesat e tij, iu drejtua Gjykatës së Posaçme. Burime saktësojnë se për të njëjtën dosje përfshihen disa urdhër-arreste, jo vetëm ai për ish-zv/kryeministrin Ahmetaj, njerëz apo biznesmenë të lidhur me veprat penale që ai akuzohet. Mediat raportuan se objekt i bastisjeve kanë qenë edhe disa biznesmenë që kanë pasur bashkëpunim dhe kontakte me ish-zv.kryeministrin Ahmetaj. Ai ndodhet jashtë vendit, ndërsa pas vendimit të gjykatës për caktimin e masës ndaj tij duhet të kalojnë 3 javë për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Më 9 mars agjentët e BKH-së kontrolluan në Palasë vilën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt Arjola Mançka dhe banesën private në Hamallaj në pronësi të partneres aktuale të Ahmetajt, Erjola Hoxha, ku u gjet edhe telefoni Blackberry, në të cilin ishin fshirë mesazhet dhe telefonatat me pronarët e kompanive të incineratorëve. Bashkë me urdhërat e kontrollit, SPAK me vendim të Gjykatës së Posaçme ka vënë në sekuestro preventive 6 pasuri, 4 nga të cilat apartamente, njëri i përshtatur si AIR-BNB në pronësi të Arben Ahmetajt në zonën e Shallvareve si dhe 2 llogari bankare të tij në shumën totale që shkojnë në 124.300 euro. Në kërkesën drejtuar Kuvendit për arrestimin e tij, për veprën e pastrimit të produkteve të veprës penale citohen dy apartamente me sip 124.15 m2 dhe me sip 148.8 m2, në Selitë, sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sip ndërtese 98 m2 ndodhur në NB Hamallaj, e identifikuar si Vila Saphire nr. 22, e përfituar ne vitin 2017, apartament me sip 178.68 m2 dhe 1 (një) garazhdi, me sip 21 m2, në Selitë dhe apartament me sipërfaqe 167 m2, tek rruga Reshit Çollaku, në Tiranë.

PASURITË “NËN HETIM”

Apartament me sip 124.15 m2, Selitë

Apartament me sip 148.8 m2, Selitë

Truall 521.13 m2, ndërtesë 98 m2,

Vila Saphire nr. 22, Hamallaj

Apartament 178.68 m2 dhe garazhd, 21 m2, Selitë

Apartament 167 m2, Rruga “Reshit Çollaku”, Tiranë

*Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Keti Banushi dhe Sokol Dema

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:35
Çështja Ahmetaj, SPAK: Sekuestruam 4 apartamente dhe 2 llogari bankare me vlerë 124 mijë euro

1689330428_ahmetaj.jpg

SPAK ka dhënë njoftimin për çështjen e Arben Ahmetajt duke thënë se janë sekuestruar katër apartamente në pronësi të ish-ministrit. Në njoftimin e SPAK, thuhet se janë sekuestruar edhe dy llogari bankare, të cilat arrijnë vlerën 124 300 euro (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro). Po ashtu nga kontrollet që BKH ka ushtruar në banesat në Lalëz dhe Tiranë janë sekuestruar dokumente, kompjuter, telefona dhe USB.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e hetimit të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 245, 257/a dhe 287 i K.Penal (procedim penal  i regjistruar ndër të tjerë edhe në ngarkim të personit nën hetim Arben Ahmetaj), sot, më datë 18.07.2023 ka proceduar me kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrove si më poshtë:

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro)”, njofton SPAK.

Ora 13:32
BKH kontroll në banesat e tij dhe të familjarëve, Ahmetaj: Sot u bë raprezalja e radhës në familjen time! Merruni me inceneratorët e jo me 1.8 mln € imagjinarë

1689328124_arbenahmetaj.JPG

Ish ministri Arben Ahmetaj ka reaguar sërish për kontrollet me urdhër të GJKKO në banesat e tij dhe të familjarëve. Ai shprehet se shifra 1.8 mln euro që ka dalë si pjesë e hetimeve s’është gjë tjetër veçse një lajm i rremë.

“Sot u bë raprezalja e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë.

Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”.

Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë.

Fake news e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve …”- shkruan ai.

Ora 12:51
GJKKO kërkon sekuestrimin e 4 apartamenteve që kanë qenë në pronësi të Ahmetajt

1689180046_1688980828arbenahmetaj.jpeg

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për vendosjen e sekuestrove preventive për 4 apartamente të cilat me herët kane qenë në pronësi të ish-ministrit Arben Ahmetaj, por që dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive të persona të tjerë. Sipas SPAK, 4 banesat janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga ish-ministri. Nuk dihet se çfarë do të bëhet me kërkesën e SPAK, pasi apartamentet tashmë janë shitur dhe kanë pronarë të tjerë.

Ora 11:41
Kontrollet e BKH, burime: Arben Ahmetaj nuk ka regjistruar asnjë banesë në emrin e tij

Ish-ministri Arben Ahmetaj nuk ka asnjë banesë në emrin e tij, bëjnë me dije burime për Report Tv. Nga kontrollet që ka kryer BKH mësohet se njëra nga banesat e marra me qira nga Ahmetaj në Tiranë ishte e boshatisur.

Ora 10:30
Kontrollohet banesa e Ahmetajt pranë liqenit Artificial, agjentët e BKH-së s'gjejnë asgjë të dyshimtë

1689669294_pallate.jpg

Kontrolli pranë banesës së Arben Ahmetajt e marrë me qira, pranë Liqenit Artificial në Tiranë, ka përfunduar. Mësohet se kanë qenë të pranishëm agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të ndihmuar nga Policia e Shtetit dhe në prani të mbrojtësve. Burime bëjnë me dije se brenda në banesë nuk është gjetur dhe nuk është marrë gjë.

Ora 10:13
BKH zbarkon në banesat e familjarëve të bashkëjetueses së Ahmetajt në Hamallaj, kontroll në tre katet e shtëpisë

1681459401_1678459066finalprojekt.00013305.Still018.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK ka kryer kontrolle mëngjesin e sotëm te banesat e familjarëve të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha, në Hamallaj. Mësohet se BKH ka kryer kontrolle për disa minuta në tre katet e banesës së familjarëve të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt.